Karlo Ançeloti dha një intervistë të gjatë për “AS”, ku foli për të kaluarën e tij të lavdishme te Real Madridi dhe të tashmen me ekipin kombëtar brazilian.
“Këto vite në Madrid ishin spektakolare, jo vetëm për titujt, por edhe për mënyrën se si i fituam ato. Rikthimet në Ligën e Kampioneve kundër PSG-së, Çelsit, Sitit dhe Bajernit do të mbeten përgjithmonë në kujtesën time. Lashë një pjesë të zemrës sime. Ishte një nder të isha pjesë e historisë së saj.”
Ai nuk ka dyshime për pasardhësin e tij, Çabi Alonson: “Si lojtar mund ta kuptoje që do të bëhej trajner. Ai po bën një punë të jashtëzakonshme. Është i pari në La Liga dhe ndër më të mirët në Ligën e Kampioneve. Te Madridi, një barazim shihet si krizë, por Çabi ka gjithçka që duhet për të pasur sukses.”
Ish-trajneri analizon gjithashtu ciklin e ri të klubit: “Mbape dhe Bellingam po e ngrenë standardin. Real Madridi është i fortë dhe konkurrues. Çabi mund ta vazhdojë trashëgiminë tonë pa asnjë problem.”
Lidhur me futbollin modern, Ançeloti vëren: “Sot ka disa të zgjedhur: Mbape, Vinicius, Bellingam, Lamine Jamal, Haland… por askush nuk do të jetë kurrë si Kristiano Ronaldo.”
PANORAMASPORT.AL








