TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet javën tjetër, të enjten e 20 nëntorit, në orën 10:00. Mbledhja e parashikuar për të enjten, do të jetë e para pas vendimit të Kushtetueses për të lënë në detyrë kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili u shkarkua me vendim të Këshillit Bashkiak. Megjithatë, ende nuk është zyrtarizuar rendi i ditës që do të diskutohet në mbledhjen e 20 nëntorit.
Erion Veliaj u shkarkua nga detyra e kretarit të Bashkisë Tiranës, me 51 vota pro, pas propozimit të bërë publikisht nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste. Në një mbledhje të jashtëzakoshme, Këshilli Bashkiak i Tiranës, vendosi shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës, me bashkimin e votave të opozitës e mazhorancës.
Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI






