ITALI- Kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e ministrave të kabinetit të tij janë pritur në një ceremoni zyrtare nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në kuadër të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, e cila do të jetë e para mes dy vendeve. Pas ceremonisë zyrtare, ku Meloni dhe Rama kanë qenë të afërt mes tyre, kryeministri shqiptar i ka prezantuar homologes së tij një pjesë të ministrave, me në krye Elisa Spiropalin dhe Delina Ibrahimajn.
Në këtë samit marrin pjesë rreth 10 ministra nga secila palë, përfshirë ministrat italianë Antonio Tajani, Matteo Piantedosi, Carlo Nordio, Guido Crosetto, Gilberto Pichetto Fratin, Alessandro Giuli, Orazio Schillaci, Nello Musumeci, si dhe nënsekretarët Federico Freni dhe Matteo Ferrante.
Nga pala shqiptare të pranishëm do të jenë: zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; ministrja e Jashtme Elisa Spiropali; i Drejtësisë Besfort Lamallari; ajo e Brendshme Albana Koçiu; I Mbrojtjes Pirro Vengu; e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala; e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj; i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja; i Mjedisit Sofjan Jaupaj; dhe Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Marrëveshjet dhe memorandumet që pritet të nënshkruhen janë në fusha si: mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura. Samiti ka si qëllim të çojë në një nivel të ri cilësor bashkëpunimin dypalësh, përmes krijimit të një kuadri të qëndrueshëm dhe të strukturuar në fusha si ekonomia, infrastruktura, mbrojtja, siguria, energjia, mjedisi, shëndetësia, inovacioni, arsimi dhe kultura./ZËRI





