Kombëtarja shqiptare e futbollit U19 ka nisur sot rrugëtimin e saj në kualifikueset e Kampionatit Europian të kësaj grumposhe, në ndeshjet e Grupit 5 që po luhen në vendin tonë. Një rrugëtim që ka nisur me një humbje 3-0 ndaj Ukrainës dhe me një lojtar më pak të gatshëm për trajnerin Julian Ahmataj për këtë duel. Një nga emrat që pritej më me shumë interes te kuqezinjtë.

Mesfushori 17-vjeçar Oliver Blini, i cili ka shkëlqyer me përfaqësueset e moshave të Italisë, duke luajtur e shënuar rregullisht me ekipet U15, U16 dhe U17 të saj, ka vendosur që t’i bashkohet Shqipërisë. Një lajm padyshim i mirë pasi djaloshi i cili luan në akademinë e Empolit, shihet si një talent shumë premtues. Ndaj nuk është rastësi që ndonëse më i ri në moshë, ai u përfshi menjëherë në listën e Kombëtares U19.
Por jo gjithçka shkoi ashtu siç mendohej. Me sa duket, procedurat e aplikimit për ndryshimin e Kombëtares në FIFA, nuk janë mbyllur në kohën e duhur. Kësisoj Blini, edhe pse i përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar nga Ahmataj për turneun, nuk ka mundur të jetë i gatshëm për sfidën e hapjes.

Si rrjedhojë, Shqipëria është paraqitur me 19 lojtarë në këtë ndeshje ndërsa djaloshi, e ka ndjekur si spektator i thjeshtë nga tribuna duelin.
Si për ironi të fatit, pas përfundimit të duelit, FIFA ka zyrtarizuar edhe ndryshimin e kombëtareve për Blinin, i cili do të jetë kësisoj i pranishëm në dy ndeshjet e tjera të kuqezinjve kundër Sllovakisë dhe Malit të Zi.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL








