Në prag të gjysmëfinales së “playoff”-it për Botërorin 2026 kundër Gabonit, Nigeria po përjeton orë të tensionuara. Lojtarët që kanë mbërritur në Rabat për t’u përgatitur për një ndeshje vendimtare pas një rrugëtimi të luhatshëm në kualifikime, vendi i dytë në Grupin C pas Afrikës së Jugut, shpresonin të rigjenin përqendrimin dhe unitetin. Qëllimi është i qartë: të sigurojnë finalen e së dielës, sërish në kryeqytetin maroken, dhe të vazhdojnë garën për t’u rikthyer në Kupën e Botës pas mungesës së dhimbshme në Katar.

Por qetësia është zhdukur shpejt. Të hënën, i gjithë grupi i lojtarëve, përfshirë edhe stafin teknik, bojkotoi stërvitjen për të protestuar ndaj mosshlyerjes së shpërblimeve, të cilat nuk janë paguar prej muajsh.
Një situatë – sipas “Foot Mercato” – për fat të keq jo e re për futbollin nigerian, e cila rrezikon të dëmtojë përgatitjet në një moment vendimtar. Federata po përpiqet të gjejë një zgjidhje, por përçarja duket e thellë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ditët e fundit ka shpërthyer edhe “çështja Iobi”: anësori i Fulhamit publikoi në Snapchat një video ku ironizonte për cilësinë e hotelit të skuadrës në Rabat, gjë që zemëroi tifozët marokenë.
Ish-lojtari i Arsenalit më pas sqaroi, duke folur për një keqkuptim dhe duke bërë thirrje që të gjithë të përqendrohen te fusha.
Mes tensioneve të brendshme, polemikave mediatike dhe objektivave të mëdha, sfida kundër Gabonit kthehet në një provë të vërtetë pjekurie: për t’u rikthyer të mëdhenj, “Super Eagles” duhet fillimisht të rigjejnë qetësinë brenda vetes.
PANORAMASPORT.AL








