TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është përjashtuar me 10 ditë nga Komisioni i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë. Vendimi u mor pas kërkesës së socialistëve, të cilët kërkuan përjashtimin e Berishës pas deklaratave të tij në Parlament për ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore. Socialistët argumentonin në kërkesë se Berisha Ka fyer ambasadorin e BE-së, dhe për këtë arsye kërkuan përjashtimin me 10, 30 apo 60 ditë nga punimet e Kuvendit.
Çfarë deklaroi Berisha në Kuvend për Gonzaton?
Sali Berisha në deklaratën e tij ndaj ambasadorit Gonzato, e akuzoi se po “imponon bindjet e tij personale” në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore.
“Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë t’u thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016, se u mohon prindërve të drejtën e edukimit. Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës. E Kanë vendosur në pikën 17 të rendit të ditës. Këtë ligj i cili defakto përmbys kodin e familjes,”-deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër, Sekretariati i Etikës ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e Taulant Ballës. PD në kërkesë u shprehen se Balla ofendoi dhe përdori gjuhë kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës. Sipas PD, gjuha e përdorur nga Balla ka qenë joparlamentare dhe fyese, që përfshinëte fjalë “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”, etj., gjatë fjalës për kalendarin dhe programin, është shkelje disiplinore sipas nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”./ZËRI





