TIRANË-Në Komisionin e Ekonomisë po diskutohet projektbuxheti për vitin 2026. Diskutimi po zhvillohet në mungesë të Partisë Demokratike, grupi i të cilës vendosi të bojkotonte komisionet. Ministri i Financave Petrit Malaj ka vijuar me prezantimin e draftit, ku ka theksuar se kryefjalë e vitit të ardhshëm janë pensionet. Malaj tha se prej janarit do të nisë dhënia e shtesës së pensionit. Sa i takon faturës për dhënien e bonusit mujor Malaj tha se deri në 2030-ën arrin në 1.7 miliardë euro.
Petrit Malaj: Duke filluar nga janari 2026, përmes mbështetjes buxhetore, do të zbatojmë një kompensim të ardhurash për të gjithë pensionistët bazuar në kategorinë e pensionit që ata përftojnë aktualisht. Dhe më konkretisht, do të kemi rritje me 1800 lekë në muaj për pensionet urbane me vite të plota pune. Do të kemi rritje me 8000 lekë ose 800 lekë në muaj për pensionet urbane të pjesshëm. Do të kemi një rritje me 1000 lekë në muaj për pensionet rurale. Do të kemi një rritje me 700 lekë në muaj për pensionet familjare. Do të kemi një rritje me 600 lekë në muaj për pensionet e invaliditetit në publik. Efekti financiar i parashikuar për këtë masë për vitin 2026 është parashikuar rreth 10.4 miliardë lekë, që do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit. Në fund të mandatit, efekti kumulativ për periudhën 2026-2030, llogaritet në rreth 1.7 miliardë euro për buxhetin e shtetit. Kjo ndërhyrje e parashikuar financiarisht në buxhetin e shtetit, nuk është një masë thjesht sociale, por një politikë strukturore.
Sa i përket buxhetit për shëndetësinë, Ministri i Financave deklaroi se pjesë e buxhetit për herë të parë është edhe kompensimi i barnave onkologjike, përveç skemës së rimbursimit të medikamenteve me vlerë 13.5 miliardë lekë nga e cila do të përfitojnë 400 mijë qytetarë.
Petrit Malaj: Me projektbuxhetin 2026 do të financohet me prioritet disa politika. Trajtimi me recetë përmirësimit të barnave për rreth 400.000 pacientë. Financimi me 1.5 miliardë lekë më shumë për rikuperimin e barnave onkologjikë në shërbimin parësor dhe sigurimin e tyre në gjithë sistemin spitalor. I paketave të miratuara të shërbimit spitalor në spitalet publike, jo publike, përfshirë këtu paketën e re për trajtimin e trompekominës si dhe rikonstruksioni i një sërë spitaleve rajonale dhe qendrave shëndetësore.
Ndërkohë me projektbuxhetin e vitit 2026 do të rritet edhe paga për ushtarakët në Forcat e Armatosura. Vetë Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi se rritja për kategoritë Ushtari IV deri te Gjeneral Lejtnanti do të jetë +5,875 lekë.
Pirro Vengu: Më shumë vlerësim për ata që shërbejnë me përkushtim. Rritja e pagave për ushtarakët në Forcat e Armatosura është pjesë e politikës së qëndrueshme dhe vendimeve të Qeverisë Shqiptare për të garantuar kushte më të mira pune dhe jetese. Me Projektbuxhetin 2026, pagat përfshijnë rritje që shkon deri në +5,875 lekë, nga Ushtari IV deri te Gjeneral Lejtnanti, së bashku me shtesa për kushte pune dhe trajtim ushqimor.



