TIRANË-Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, ka qenë pjesë në një event për Edicionin e Dhjetë të Shkollës së Integrimit Europian, ku gjatë fjalës së tij ka komentuar edhe integrimin e Shqipërisë në BE. Sa i përket hapjes së grupkapitujve të fundit, Gonzato u shpreh se mbyllja e tyre është e vështirë. Ai theksoi se tashmë është koha kur do të shihet vullneti i Shqipërisë për miratuar dhe zbatuar reforma për të harmonizuar ligjet e veta me standardet e BE-së. Gonzato theksoi se është e nevojshme që Shqipëria të përshpejtojë ritmin nëse do që të përmbushë objektivin për të përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027.
Silvio Gonzato; Shqipëria po hyn në një fazë thelbësore të procesit të anëtarësimit dhe vijon çeljen e të gjithë grupkapitujve. Ndërkohë që çelja e të gjithë grupkapitujve dhe e përmendi dhe zoti Balla që së shpejti do të çelim edhe grupkapitullin e fundit, por edhe pse çelja e tyre është një arritje e qartë që është përftuar me një shpejtësi të jashtëzakonshme, faza tjetër do të jetë vendimtare dhe do jetë më e vështirë, pasi mbyllja e kapitujve të negociatave është qartësisht më e vështirë se sa çelja e tyre. Kjo është koha kur vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për të miratuar dhe zbatuar reforma rrënjësore e të qëndrueshme për të harmonizuar veten me standardet e BE-së do vihet në sprovë. Ja pse raporti shprehet se Shqipëria duhet të ruajë dhe përshpejtojë ritmin e këtyre reformave. Kjo është e nevojshme nëse Shqipëria do të përmbushë objektivin e vet ambicioz për të mbyllur negociatat në fund të vitit 2027. Për këtë kemi nevojë për fokus, qasje tërësore, gjithëpërfshirje dhe vendosmëri. Shtetet anëtare presin që Shqipëria të arrijë një zbatim konsistent në kohë të reforma që sjellin përfitime për qytetarët në jetën e tyre të përditshme.
Gonzato ngriti shqetësimin edhe për abuzimin me burimet publike gjatë fushatave zgjedhore, duke theksuar se kjo praktikë dëmton ndjeshëm barazinë në garën elektorale. Ambasadori u shpreh se raportet e OSBE/ODIHR kanë evidentuar mungesën e një fushe të barabartë loje për shkak të përdorimit të strukturave dhe burimeve shtetërore në favor të partisë në pushtet.



