TIRANË-Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të bojkotojë përkohësisht Komisionet Parlamentare nisur nga sot. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi u ka dërguar mesazh deputetëve që asnjëri prej tyre nuk duhet të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve, derisa opozita të dalë me një vendim. Mbledhja e grupit do të zhvillohet sot në orën 12:30, ndërsa në mesazh Bardhi thotë se ky është reagim për mbylljen e Kuvendit pa diskutime.
“Derisa të jetë mbledhur dhe të ketë vendosur grupi parlamentar, asnjë deputet nuk merr pjesë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ky do të jetë një reagim i përkohshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në seancën e fundit, derisa Grupi Parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim final. Pra, nesër nuk shkojmë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare”, thuhet në mesazhin dërguar deputetëve të PD.
Komisionet Parlamentare do të diskutojnë sot projektligjin e buxhetit 2026. Po ashtu edhe sekretariati i Etikës do të mblidhet në mesditë, ku PS ka kërkuar përjashtimin deri në 60 ditë të kreut të PD, Sali Berishës nga Kuvendi, ndërsa opozita ka kërkuar përjashtimin e Taulant Ballës, që sipas tyre ofendoi dhe përdori gjuhë kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës. Kërkest vijnë pas seancës plenare të 6 nëntorit, e cila u mbyll pa përfunduar diskutime, ku në rend dite ishte edhe ligji për barazinë gjinore që ka shkaktuar jo pak debat mes PS dhe PD./ZËRI



