TIRANË- Le të “FLASIM” pak për zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në 5 bashki të vendit ditën e nesërme! Në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për të vendosur se kush do të drejtojë secilën bashki. Por kthehemi pas në kohë për të parë se çfarë kanë premtuar kandidatët e PS-së para kryeministrit Rama për rezultatin përfundimtar.
Më 7 nëntor, Rama uli në tryezën e rrumbullakët të podcastit të tij “FLASIM” pesë kandidatët e PS-së për 5 bashkitë. Duke ironizuar kandidatët e opozitës dhe kandidatët e pavarur që do të mbështeten nga PD, Rama nuk la pa pyetur “të vetët” për pritshmërinë që ka secili prej tyre për rezultatin e zgjedhjeve.
Të gjithë padyshim e mendonin fitoren!
Kandidatja e PS-së për Vlorën, Brunilda Mersini, u shpreh se në qytetin bregdetar parashikon që të marrë 80% të votave.
Kandidati Ervin Ceca i Beratit synon të marrë 75% të votave. Ndërsa Florenc Doka shprehet se do të marrë 70% të votave në Cërrik. Pretendimin më të ulët mes “kolegëve” e kishte kandidati i Matit, Altin Bojni, i cili pretendon të marrë 65% të votave në këtë bashki. Ndërkohë që më entuziasti dukej kandidati i Tepelenës, Gramoz Sako, i cili u shpreh se parashikon fitoren në zgjedhjet e së dielës me 83% të votave.
ZËRI bëri një shfletim të shifrave të zgjedhjeve të rregullta lokale të vitit 2023, duke parë se çfarë rezultati arriti të marrë PS në këto 5 bashki.
Në Vlorë, PS në vitin 2023 me Ermal Dredhën arriti të siguronte 70.55% të votave, ose thënë ndryshe 28,271 vota, duke lënë pas kandidatin e kualicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Hysni Sharrën, i cili siguroi vetëm 11,802 vota ose 29.25% të votave në këtë bashki. E ndërsa Brunilda Mersini do të kalojë rezultatin e Ermal Dredhës.
Në Berat, PS mori në 2023 61.46% të votave, ose 16,604 vota me Ervin Demon, i cili aktualisht mban postin si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, duke lënë pas Zija Ismalin e kualicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili mori 10,412 vota ose 38.54% të votave në këtë bashki. Ndërsa tani PS me kandidatin Ervin Ceca në Beratit synon të marrë 75% të votave, por do të shohim nëse arrin të thyejë rekordin e ish-kryebashkiakut Ervin Demo.
Në Bashkinë Cërrik, socialistët arritën të siguronin 71.19% të votave, ose 8,454 vota, duke lënë pas kandidatin e opozitës, Servet Duzhën, i cili mori 3,421 vota ose 28.81%. Po ta krahasojmë me përqindjen që jep kandidati Florenc Doka, duket se sipas tij do të ketë një ulje prej 1% të votave, pra ai u shpreh se PS e fiton Cërrikun në këto zgjedhje me 70% të votave.
Në bashkinë e veriut, në Mat, PS arriti fitoren me kandidatin Agron Malaj, i cili siguroi 65.92% të votave, duke lënë pas kandidatin opozitar Skënder Gjucin, që arriti të grumbullojë 4,517 vota ose 34.08% në këtë bashki. Altin Bojni, kandidat aktual i socialistëve në Mat, duket se pret sërish të njëjtin rezultat nga ai që korri ish-gardisti i 21 janarit, Agron Malaj.
Në Bashkinë e Tepelenës, PS mori me Tërmet Peçin 82.67%, ose 4,093 vota, duke lënë pas dy kundërshtarët e tij, Baftjar Imerin e kualicionit “Bashkë Fitojmë”, që mori 10.34% të votave, dhe Sokol Gugin e Partisë Demokratike të vjetër, që arriti të merrte vetëm 6.99% të votave.
Tani kandidati i PS-së, Gramoz Sako, pretendon të rrisë me 1% numrin e votave në këtë bashki, duke kaluar rezultatin e paraardhësit të tij, Tërmet Peçi.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse premtimet dhe parashikimet e kandidatëve socialistë do të përputhen me vullnetin e qytetarëve në kutitë e votimit. Rezultatet përfundimtare do të tregojnë nëse pritshmëritë e larta të PS-së do të kthehen në realitet, apo këtë herë do të ketë surpriza nga opozita dhe kandidatët e pavarur. /ZËRI



