CËRRIK- Pas Bashkisë së Vlorës, vijon puna për përgatitjen e zgjedhjeve në bashkinë Cërrik. Në këtë bashki janë ngritur gjithsej 57 qendra votimit, ku 38.740 qytetarë do të kenë mundësinë të votojnë për kryebashkiakun e ri.
Kryetari i KZAZ nr. 47, Krenar Karaj u shpreh për mediat se ka pasur vonese dhe se ende nuk është mbyllur procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Sipas Karajt, dorëzimi i vonuar i listave të komisionerëve nga Partia Demokratike ka shkaktuar vonesa, por thekson se deri më tani procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë.
“Vonesa ka ardhur pasi subjekti politik PD, mbështetës i kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, ka dorëzuar listat e komisionerëve me vonesë, duke penguar ritmin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Megjithatë, jemi duke vijuar dhe presim ta përfundojmë procesin në orët në vijim”, deklaroi Karaj.
Në Bashkinë e Cërrikut gara po zhvillohet mes tre kandidatëve; Eligert Hima, përfaqësues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”; Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga Partia Demokratike; dhe Florenc Doka, i Partisë Socialiste, i cili mban postin e kryetarit të komanduar pas dorëheqjes së ish-kryetarit Andis Salla.
Zgjedhjet e pjesshme në ërrik po mbahen për shkak se ish-kryetari socialist Andis Salla u emërua Ministër i Bujqësisë në qeverinë Rama 4 në shtator të këtij viti./ZËRI



