Sot heshtje zgjedhore, nesër 334 mijë qytetarë do zgjedhin kryebashkiakët e rinj në 5 bashki


Sot heshtje zgjedhore, nesër 334 mijë qytetarë do zgjedhin

Foto ilustruese

TIRANË- Sot është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën 334.539 mijë votues të 5 bashkive do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në Vlorë, Berat, Tepelenë, Berat dhe Mat. Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 600.

Zgjedhjet në Vlorë mbahen pas dorëheqjes së Ermal Dredhës nga drejtimi i Bashkisë. Socialistët kanë dërguar një kandidate me lidhje lokale si Bruna Mersini. Nga ana tjetër opozita nuk arriti që të dilte me një emër konsensual, edhe pse kandidati Dionis Sota mbështetet prej tyre. Në garë është edhe Gjergji Nika.

Socialistët i kanë bësuar kandidimin në zgjedhjet e 9 Nëntorit në Berat Ervin Cecës. Demokratët dhe opozita në tërësi mbështet në garën për Bashkinë e Beratit kandidatin Pavllo Shkarpa.

Cërrik në garë janë 3 kandidatë; Florenc Doka nga Partia Socialiste, Amarildo Hoxha, një mjek në profesion që mbështetet nga Partia Demokratike dhe Eligert Hima, kandidat i “Shqipëria Bëhet.

Në garën për kreun e Bashkisë Mat kandidojnë: Altin Bojni, ekonomist dhe ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, që përfaqëson Partinë Socialiste; Eduart Brahilika, jurist dhe kandidat i mbështetur nga Partia Demokratike; si dhe Suzana Pasha.

Tepelenë socialistët garojnë me një kandidat të njohur, si ish-drejtori i Gardës së Republikës Gramoz Sako, ndërsa opozita mbështet një kandidat të ri në moshë dhe në përvojë, arkitektin 26-vjeçar Grabiel Guma.

Policia e Shtetit ka hartuar në plan masash për mbarëvajtjen e procesit të votimit në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet. Në terren do të angazhohen 612 forca policie dhe automjete, ndërsa janë marrë masat që të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.

Të dielën e 9 Nëntorit, qytetarët e 5 bashkive në vend do t’i drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur kryetarët e tyre, që do t’i qeverisin për një mandat të pjesshëm, deri në zgjedhjet lokale të vitit 2027. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të pezulluar mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, dhe për të rikthyer në detyrë Erion Veliajn, ethet e garës duket të jenë zbehur ndjeshëm, edhe për shkak se kandidatët kanë tentuar që të bëjnë një fushatë të shpejtë lokale, pa zhurmën dhe projektorët e të dërguarve nga Tirana. 5 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet të dielën janë Vlora, Berati, Cërriku, Mati dhe Tepelena, kryesisht bastione të së majtëve, ndërkohë që 13 kandidatë në garë synojnë që të zgjidhen në krye të këtyre njësive të pushtetit vendor./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top