Pas katër javësh në fazën e re të Champions League, panorama e futbollit italian në Europë është e ndarë mes shpresash, pritshmërish dhe zhgënjimesh. Interi është skuadra që po mban më lart flamurin italian: pas katër fitoreve në katër ndeshje, zikaltërit ndodhen në vendin e tretë me 12 pikë, në barazim me Bajernin e Mynihut dhe Arsenalin, por disavantazhuar nga diferenca e golave. Skuadra e Kristian Kivut po tregon stabilitet, por sfidat e ardhshme me Atletiko Madrid, Liverpul, Arsenal dhe Borusia Dortmund do të jenë testi i vërtetë.

Statistikat i japin Interit 76 % mundësi për t’u renditur në “Top 8”, që do të siguronte kalimin e menjëhershëm në fazën me eliminim direkt – një objektiv i arritshëm, por jo pa rrezik. Pas Interit, surpriza e këndshme mbetet Atalanta. Ekipi i Juriç, falë edhe fitores së madhe në fushën e Marsejës, renditet në vendin e 16-të me 7 pikë. Bergamaskët kanë një kalendar më të përballueshëm, me ndeshje ndaj Frankfurt, Çelsit, Atletik Bilbao dhe Union SG. Kompjuteri statistikor “Football Meets Data” e llogarit Atalantën me 94 % gjasa për të siguruar pjesëmarrjen në “play-off”. Situata është më e ndërlikuar për Napolin dhe Juventusin.
Kampionët në fuqi të Italisë, të drejtuar nga Antonio Konte, ndodhen në vendin e 24-të me vetëm 4 pikë, në prag të zonës së rrezikut. Kalendarët e tyre – kundër Karabag, Benfika, Kopenhagen dhe Çelsi – do të përcaktojnë fatin e skuadrës. Për momentin, modelet statistikore japin 81 % mundësi që Napoli të futet në “play-off”, por vetëm nëse ruan stabilitet dhe shmang gabimet që e kanë ndjekur deri tani. Juventusi, në anën tjetër, është ekipi më në vështirësi. Me vetëm 3 pikë dhe renditje të përkohshme në vendin e 26-të, “Zonja e Vjetër” është praktikisht jashtë zonës së Championsit. Skuadra e Luçiano Spaletit duhet të ndryshojë menjëherë ritmin për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.
Kalendari i saj, megjithatë, ofron një dritë optimizmi: përballjet me Bodø/Glimt, Pafos, Benfika dhe Monako janë të përballueshme. Parashikimet i japin 75 % mundësi për t’u futur në “play-off”, por vetëm nëse arrin të fitojë dy nga katër ndeshjet e mbetura. Në përgjithësi, panorama e futbollit italian në Champions mbetet pozitive: Interi duket në rrugë të sigurt për 1/8-at, Atalanta është në garë të plotë, Napoli lufton për qëndrueshmëri, ndërsa Juventus kërkon ringjalljen. Të katërja skuadrat do të përballen me një dhjetor vendimtar, ku çdo gol, çdo pikë dhe çdo gabim do të peshojë shumë në rrugën drejt lavdisë evropiane. Në fund të fazës së ligës, objektivi është i qartë: të paktën tre italiane në fazën me eliminim direkt. Dhe nëse Interi do të vazhdojë në këtë ritëm, Italia mund të ëndërrojë sërish një vend në mesin e më të mëdhenjve të Europës.








