TIRANË- Debatet e forta të zhvilluara dje në Kuvend, ku u diskutua dhe kaloi në votim projektligji për barazinë gjinore, kanë prodhuar dy kërkesa për përjashtimin e deputetëve nga seanca. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar një kërkesë zyrtare për marrjen e masës disiplinore ndaj kryedemokratit Sali Berisha, pas deklaratave publike të bëra në seancën plenare të 6 nëntorit 2025.
Sipas socialistëve, Berisha u shpreh në mënyrë fyese dhe denigruese ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke diskutuar mbi përkatësinë e tij seksuale.
Në kërkesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, grupi socialist vlerëson se veprimet e Berishës cenojnë jo vetëm dinjitetin personal të përfaqësuesit diplomatik, por edhe imazhin institucional të Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur parimet e etikës parlamentare të përcaktuara në Kodin e Sjelljes dhe në Rregulloren e Kuvendit.
Ata kërkojnë që Berisha të përjashtohet nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 60 ditë. Nga ana tjetër, grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon përjashtimin e Taulant Ballës, për 10 ditë nga seancat plenare.
Sipas PD, gjuha e përdorur nga Ball aka qenë joparlamentare dhe fyese, që përfshinëte fjalë “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”, etj., gjatë fjalës për kalendarin dhe programin, është shkelje disiplinore sipas nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”.
“Kjo sjellje e deputetit Taulant Balla është e përsëritur seancë pas seance, dhe mbetet në cdo rast i pa ndëshkuar. Fyerja dhe kërcënimi ndaj deputetëve të opozitës është i papranueshëm dhe duhet të shoqërohet me masën disiplinore përjashtimin me 10 ditë nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare” thuhet në kërkesën e PD-së./ZËRI




