E ardhmja e Dushan Vla hoviç është sërish në qendër të diskutimeve në shtëpinë bardhezi. Sulmuesi serb, që ka një kontratë me Juventusin deri më 30 qershor 2026, mbetet një nga figurat më të rëndësishme të projektit sportiv, por edhe një nga më të shtrenjtët në bilanc. Aktualisht, Vlahoviç përfiton një pagë që arrin në 12 milionë euro neto në sezonin 2025-26, shifër që e rendit ndër lojtarët më të paguar në Serie A.

Klubi, megjithatë, po përpiqet të ristrukturojë kontratat më të rënda, në mënyrë që të balancojë financat pas dy sezoneve me luhatje të mëdha ekonomike. Për këtë arsye, drejtuesit e Juventusit kanë filluar kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit për një rinovim të mundshëm me shpërndarje të pagës në disa vite. Ideja e rishikimit të kushteve financiare të kontratës do të lejonte klubin të ulte barrën financiare vjetore, ndërsa do t’i garantonte Vlahoviçit një qëndrueshmëri afatgjatë në Torino.
Sipas burimeve pranë “Sportmediaset”, për momentin ekziston gatishmëri nga të dyja palët për të gjetur një kompromis, por ende nuk është arritur asnjë marrëveshje konkrete. Në anën tjetër, Juventusi duhet të llogarisë edhe presionin e tregut. Disa klube të Premier League kanë shfaqur interes për sulmuesin serb, por vlera e lartë e kartonit – mbi 70 milionë euro – dhe kërkesat e tij ekonomike e bëjnë çdo tratativë të komplikuar. Për këtë arsye, drejtuesit bardhezi po e shohin rinovimin si zgjidhjen më të qëndrueshme, për të shmangur rrezikun e humbjes së një aktivi të rëndësishëm me vlerë të madhe në treg.
Vlahoviç, nga ana e tij, e ka përsëritur dëshirën për të qëndruar në Torino, por kërkon garanci teknike dhe një projekt fitues. Sulmuesi serb dëshiron të jetë qendra e projektit të ri të Luçiano Spaletit dhe të ndihmojë Juventusin të rikthehet në majat e Evropës, aty ku bardhezinjtë nuk kanë qenë për vite me radhë. Nëse marrëveshja do të arrihet në muajt e ardhshëm, ajo mund të zgjatet deri në vitin 2028, me një formulë më të lehtë për klubin dhe të favorshme për lojtarin.
Por në Torino askush nuk e fsheh: nëse nuk gjendet ekuilibri ekonomik, Vlahoviç mund të bëhet një nga “sacrificat” e mëdha të verës së ardhshme. Në fund, gjithçka do të varet nga rezultatet sportive dhe nga vendimet e menaxhmentit. Rinovimi i Vlahoviit do të jetë një provë e rëndësishme për strategjinë e re të Juventusit, e cila kërkon të ndërtojë një skuadër konkurruese, por pa rrezikuar stabilitetin financiar. Për momentin, e vetmja gjë e sigurt është se saga e sulmuesit serb sapo ka nisur.
IGLI ÇUTRA-PANORAMASPORT.AL








