TIRANË- Të dielën e 9 Nëntorit, qytetarët e 5 bashkive në vend do t’i drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur kryetarët e tyre, që do t’i qeverisin për një mandat të pjesshëm, deri në zgjedhjet lokale të vitit 2027. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të pezulluar mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, dhe për të rikthyer në detyrë Erion Veliajn, ethet e garës duket të jenë zbehur ndjeshëm, edhe për shkak se kandidatët kanë tentuar që të bëjnë një fushatë të shpejtë lokale, pa zhurmën dhe projektorët e të dërguarve nga Tirana. 5 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet të dielën janë Vlora, Berati, Cërriku, Mati dhe Tepelena, kryesisht bastione të së majtëve, ndërkohë që 13 kandidatë në garë synojnë që të zgjidhen në krye të këtyre njësive të pushtetit vendor.
Bashkia Vlorë- Zgjedhjet në Vlorë mbahen pas dorëheqjes së Ermal Dredhës nga drejtimi i Bashkisë, ndërsa socialistët kërkojnë të drejtojnë sërish qytetin, duke dërguar një kandidate të fortë dhe me lidhje lokale si Bruna Mersini. Ajo la mandatin e deputetes, të cilin e fitoi në zgjedhjet e Majit, për të garuar për Vlorën, ku më herët ka drejtuar dhe spitalin rajonal të qytetit. Nga ana tjetër opozita nuk arriti që të dilte me një emër konsensual, edhe pse kandidati Dionis Sota mbështetet prej tyre. Po asht unë garë për të marrë mandatin e lënë përgjysmë nga Dredha është edhe Gjergji Nika, i cili arriti që të bëhej pjesë e listës, edhe përmes një vendimi të dhënë nga Kolegji Zgjedhor. Vlora drejtohet prej më shumë se 20 vitësh nga socialistët, ndërsa në zgjedhjet e së dielës kanë të drejtë vote rreth 172 mijë qytetarë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, Vlora ka qenë një nga qarqet me pjesëmarrjen më të ulët në votime, edhe për shkak të emigrimeve masive, por edhe shpresave të pakta për ndryshim.
Bashkia Berat- Një tjetër bastion historik i socialistëve, shkon në zgjedhjet e së dielës me pak shanse për ndryshimin e timonit, pas mandatit të lënë përgjysmë nga Ervin Demo, i cili në zgjedhjet e Majit u përfshi në listat për deputetë, e më pas iu bësua nga Rama posti i ministrit për pushtetin vendor. Socialistët i kanë bësuar kandidimin në zgjedhjet e 9 Nëntorit Ervin Cecës, i cili deri tani ka qenë kryetari i komanduar i Bashkisë, dhe njëherësh krahu i djathë i Demoës. Ky i fundit, edhe pse në postin e ministrit, ka qenë i pranishëm intesivisht ditët e fundit në Berat, duke pasur takime me bazën socialiste, e duke u kujdesur që trashëgimia e pushtetit të vuloset edhe përmes zgjedhjeve te Ceca. Nga ana tjetër, demokratët dhe opozita në tërësi mbështet në garën për Bashkinë e Beratit kandidatin Pavllo Shkarpa. Ky i fundit futet në një garë të vështirë, për shkak se të dhënat tregojnë se demokratët nuk kanë fituar në Berat, as në kohën e qeverisjes 8 vjeçare të Sali Berishës dhe të djathtës. Hera e fundit kur qyteti i Beratit ka zgjedhur një kryebashkiak demokrat ka qenë viti i largët 1996, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit është vënë re një tkurrje e ndjeshme të numrit të votuesve, edhe për shkak të braktisjes së zonës nga shumë të rinj. Në vitin 2015, në këtë bashki votuan 35 mijë qytetarë, ndërsa në zgjedhjet për pushtetin vendor 2023, votuan vetëm 28 mijë vetë. Në zgjedhjet parlamentare 2025, votuesit rezidentë ishin 29 mijë.
Bashkia Cërrik– Edhe banorët e Cërrikut do t’iu drejtohen kutive të votimit të dielën, ku në garë janë 3 kandidatë për të vazhduar mandatin e lënë përgjysmë nga Andi Salla, i cili ishte një prej surprizave të kryeministrit Rama në qeverinë e katërt të tij, duke i besuar postin e ministrit të Bujqësisë. Në garë për Bashkinë e Cërrikut janë Florenc Doka nga Partia Socialiste, Amarildo Hoxha, një mjek në profesion që mbështetet nga Partia Demokratike dhe Eligert Hima, kandidat i “Shqipëria Bëhet. Bashkia e Cërrikut përbëhet nga qyteti i Cërrikut, një ish- qendër industriale dhe komunat Gostimë, Mollas, Shalës dhe Klos. Bashkia ka rreth 38 mijë qytetarë me të drejtë vote, por në zgjedhjet lokale të vitit 2023 morën pjesë vetëm 12 mijë votues.
Bashkia Mat- Bashkia e vogël në numra e Matit, duket se do të prodhojë garën më të fortë në zgjedhjet e së dielës, ku socialistët për herë të parë do të jenë të dyzuar për të zgjedhur mes dy kandidatëve, pas përçarjes së strukturave lokale. Në garën për kreun e Bashkisë kandidojnë: Altin Bojni, ekonomist dhe ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, që përfaqëson Partinë Socialiste; Eduart Brahilika, jurist dhe kandidat i mbështetur nga Partia Demokratike; si dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e forumit të grave socialiste, që kandidon si e pavarur. Kjo e fundit me shpalljen e kandidaturës së saj, ishte një prej surprizave të garës së 9 Nëntorit. Edhe pse tradicionalisht konsiderohet si një zonë e djathtë, Bashkia e Matit është kontrolluar politikisht nga Partia Socialiste që prej vitit 2011.
Bashkia Tepelenë- E qeverisur për disa mandate nga Tërmet Peçi, qytetarët e Tepelenës do të zgjedhin të dielën pasardhësin e tij në krye të Bashkisë. Socialistët garojnë me një kandidat të njohur, si ish-drejtori i Gardës së Republikës Gramoz Sako, ndërsa opozita mbështet një kandidat të ri në moshë dhe në përvojë, arkitektin 26-vjeçar Grabiel Guma. Bashkia e Tepelenës ka rreth 12 mijë votues të regjistruar, por në zgjedhjet e fundit vendore morën pjesë vetëm 5184 banorë. Edhe kjo bashki është e prekur ndjeshëm nga fenomeni i shpopullimit, ndërsa në rrugët e qytetit ka pak të rinj, që mund të shpresojnë ndryshimin. Sako nuk është lënë i vetëm në fushatën e tij për Bashkinë, pasi Tërmet Peçi është shfaqur dendur, në takimet me qytetarët, njësoj si dhe drejtuesja politike e qarkut të Gjirokastrës Mirela Kumbaro.
Socialistët kanë deklaruar se në zgjedhjet e së dielës presin një rezultat 5-0, edhe pse mobilizimi i tyre ishte mjaft i zbehtë, pas anulimit të zgjedhjeve në Tiranë, që në fakt është dhe kryeqendra e përplasjes mes forcave politike. Nga ana tjetër opozita në këto zgjedhje, iu shmang përgjegjësisë direkte, duke mos dalë me kandidatë të sajët, por duke mbështetur individë të pavarur që shpallën përfshirjen në garë. Mandati i 5 të zgjedhurve do të jetë i pjesshëm, dhe ata do të qeverisin me këshillat bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 2023-shit, duke lënë pak vend për ndryshime në politikat lokale. /ZËRI








