Një Juventus në kërkim të identitetit e gjen frymëzimin te Dushan Vlahoviç. Sulmuesi serb, shpesh i vënë në qendër të kritikave për mungesë vazhdimësie, ka marrë skuadrën për dore dhe është kthyer në udhëheqësin që bardhezinjtë kërkonin. Në ndeshjen e fundit ndaj Sportingut, ai tregoi karakter, intensitet dhe dëshirë për të udhëhequr. Më shumë se goli, bënë përshtypje gjestet: duartrokitjet për shokët, fjalët e nxitjes dhe vendosmëria në çdo duel.
Spaleti, që ende po përpiqet të vendosë vulën e tij në skuadër, e pa te Vlahoviç simbolin e ringritjes. Serbi shënoi, krijoi, provoi gjashtë herë drejt portës dhe u tregua i pakursyer në sakrificë. Madje, në një moment zemërimi, e qortoi MekKenie për një pasim të gabuar – një sinjal i qartë se ka marrë përgjegjësi si kapiten i padeklaruar. Përballë një ndeshjeje delikate dhe vendimtare, Spaleti zgjodhi rrugën e sigurisë: iu kthye Juves së vjetër.
Ai la në stol shumicën e të rinjve dhe u mbështet tek emrat me përvojë, nga Gati e te vetë Vlahoviç. Një zgjedhje që solli stabilitet dhe energji në fushë, por që tregon se trajneri ende nuk i beson plotësisht prurjeve të reja. Emra si Openda, Dejvid apo Zhegrova mbetën jashtë planeve, ndërsa loja e skuadrës u ndërtua rreth boshtit klasik: mbrojtje e fortë, mesfushë dinamike dhe një sulmues që shënon e udhëheq. Një kthim pas në kohë që, për momentin, duket se funksionon.
Vlahoviç nuk është më lojtari i pasigurt i muajve të fundit, por një lider i vërtetë. Pas ndeshjes, tifozët i rezervuan ovacione të gjata, ndërsa në stol Spaleti u pa për herë të parë i qetë. Ai e di se rikthimi i serbit në formë është çelësi për të rilindur një Juventus që ka humbur shumë nga karakteri i vet historik. Rrugëtimi në Champions është ende i gjatë dhe gabimet nuk falen. Por me një Vlahoviç në këtë formë dhe me rikthimin e shpirtit të vjetër, “Zonja e Vjetër” mund të besojë sërish.
IGLI ÇUTRA-PANORAMASPORT.AL









