TIRANË- Sot, në orën 10:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare, ku në rend dite janë raportimet e disa institucioneve për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024, projektligji shumë i diskutuar për barazinë gjinore si dhe zgjedhja e anëtareve të Komisionit Rregullator në KQZ.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, Departamenti i Administratës Publike, Komisioni i Prokurimit Publik, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, do të jenë institucionet që do të raportojnë.
Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Rregullator dështoi në seancën e kaluar, për shkak se deputetët e opozitës braktisën sallën pasi maxhoranca rrëzoi kërkesën e tyre për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për Charles McGonigal, si dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ndërsa, projektligji për barazinë gjinore është diskutuar me debate e tensione mes palëve. Projektligji nuk do të ketë më konceptin “gjithëpërfshirëse” për gjininë por do të njohë vetëm burrë e grua. PS depozitoi 22 amendamente ku hiqen termat “gjithëpërfshirës” dhe “diversitet gjinor”, duke i zëvendësuar me formulime të qarta në vetëm dy gjini.
Akti normativ për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2025 dhe akti normativ për “Planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, po ashtu janë parashikuar në rend dite./ZËRI



