Luis Diaz mbrëmë ishte ylli i padiskutueshëm në “Parc des Princes”, duke shënuar dy gola në fitoren e Bajern Mynihut ndaj PSG-së në Ligën e Kampioneve.
Por nata e kolumbianit u shndërrua në një makth pak para përfundimit të pjesës së parë, ku u largua nga fusha me të kuq për një ndërhyrje brutale ndaj Ashraf Hakimit, i cili u detyrua të largohej nga fusha duke qarë. Që atëherë, sulmuesi bavarez ka qenë shënjestër e një breshërie kritikash dhe fyerjesh në rrjetet sociale, pavarësisht mbështetjes publike të klubit të tij.
Ish-lojtari i Liverpulit, i cili qëndroi i heshtur pas ndeshjes, më në fund e theu heshtjen me një mesazh të postuar në Instagram: “Ishte një natë plot emocione. Futbolli na kujton gjithmonë se çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta, më e mira dhe më e keqja. Jam i trishtuar që nuk munda ta përfundoj ndeshjen me shokët e mi të ekipit, por jam krenar për përpjekjen e tyre të jashtëzakonshme. I uroj Hakimit një rikthim të shpejtë në fushë.”
PANORAMASPORT.AL








