Nëpërmjet një postimi zyrtar, Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në të gjitha ndeshjet e kësaj jave në kampionatin Abissnet Superiore, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë do të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Fatos Nanos, ish-kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe një nga figurat e rëndësishme të tranzicionit politik në vend, i cili u nda sot nga jeta.

Ky homazh vjen si shenjë respekti për figurën e tij dhe kontributin në jetën publike të vendit.
Kujtojmë se Nano ka ndërruar jetë këtë të premte, 31 tetor, në moshën 73 vjeçare, teksa ndodhej në reanimacion prej afro 1 muaji, në një spital në kryeqytet.
Fatos Nano do të mbahet mend si personi që rilindi të majtën shqiptare nga hiri i Partisë së Punës. Ai ishte jo vetëm arkitekti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, por edhe ideologu i parë i saj, reformatori që bëri të mundur mbijetesën dhe transformimin e kësaj force politike në një sistem demokratik.
Kush ishte Fatos Nano
Në vitin 1991 Fatos Nano filloi karrierën e tij politike pasi u zgjodh si Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri
Në zgjedhjet që u mbajtën më 31 mars 1991, të cilat u fituan nga Partia Socialiste, ai u caktua përsëri si Kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të japë dorëheqjen.
Në mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga Presidenti Sali Berisha.
Në 1997 Nano u liruar nga burgu pas trazirave të kryera në atë kohë, kur falimentuan firmat piramidale që shkaktuan një kryengritje të armatosur kundër Presidentit Sali Berisha.
Në fund të vitit 1997 u zhvilluan dhe zgjedhjet e përgjithshme të cilat u fituan nga PS, ai u caktua si Kryeministër dhe dha dorëheqjen pas trazirave të ndodhura për shkak të vrasjes së Azem Hajdarit.
Në korrik të vitit 2001, PS fitoi zgjedhjet dhe Nano u bë kryeministër për të tretën herë në korrik 2002.
Në 3 korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe mazhorancën në parlament. Pas humbjes së zgjedhjeve, më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.
Më 8 korrik 2007 ai u fut në garën presidenciale në një përpjekje për të zëvendësuar Alfred Moisiun.








