TIRANË– Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është duke bërë mbrojtjen e tij në Gjykatën Kushtetuese, ku nuk munguan sulmet në drejtim të atyre që kanë stisur procesin ndaj tij. Veliaj u shpreh se ndërprerja e mandatit të tij në krye të bashkisë së Tiranës shkel demokracinë e qytetarëve që e kanë votuar për 3 mandate rresht në krye të Bashkisë. Veliaj deklaroi se mungesa e tij në krye të detyrës, nuk ka qenë një zgjedhje, por një rrethanë e detyrueshme, për shkak të arrestimit të tij.
“Me respekt solemn për këtë Gjykatë, çfarë shkelje të rëndë kam kryer unë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, besimi im se vota e lirë është më e fortë se çdo kulisë politike, më shtyn mua që ta bëj këtë betejë sot këtu. Ato çfarë kushtetuta i mbron duhen thënë këtu me zë të lartë. Të nderuar gjyqtarë, në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune, është një seancë historike ku diskutohet demokracia, shëndeti i demokracisë shqiptare, themeli i shtetit ligjor. Të gjithë ne qytetarë, dhe nënpunës të shtetit, jemi betuar për të mbrojtur këtë si pasurinë më të shtrenjtë të republikës. Kjo është çështja gjyqësore që do të përcaktojë nëse opushteti do i takojë qytetarëve, nëse ligji do e mbrojë demokracinë. Pushteti që ata na kanë dhënë për të qeverisur, po keqpërdoret për ta sunduar”, u shpreh Veliaj.
Ndërkohë që në nisje të seancës, Veliaj tha se arrestimin i tij ishte një rrëmbim, dhe shoqërohet nga shumë policë, si të ishte një vrasës serial.
“Jam rrëmbyer nga zyra dhe jam futur në qeli, me një regji burgosje, apo shoqërimi më të rëndë se një vrasës serial. Kam më shumë policë sot në Gjykatën Kushtetuese seç kam avokate”, tha mes të tjerave Veliaj.
“Nuk jam këtu për mëshirë apo privilegj, kërkoj drejtësi kushtetuese. Drejtësia e ndan shtetin e së drejtës, nga shteti i frikës. Në këtë moment vendimtar ju nuk jeni një gjykatë që po shqyrton një shkarkim të një kryebashkiaku, jeni trupi ndërmjetës mes popullit dhe pushtetit, i krijuar për ta mbajtur pushtetin brenda kufijve që i ka caktuar kushtetuta. Vetëm kjo gjykatë mund ta kthejë pushtetin në binarët e kushtetutës”, vijoi Veliaj. /ZËRI



