TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, foli sot në Kuvend për Kodin e Ri Penal, një projektligj që ka ngjallur debat të gjerë në opinionin publik. Në seancën e sotme plenarë, Lamallari iu përgjigj interesimit të deputetëve për Kodin e ri Penal, për të cilin tha se nuk mund të matet me numrin e dispozitave, por me cilësinë dhe garancinë që jep.
Më tej, ministri bëri të ditur se më 5 nëntor do të zhvillohet një takim me krerët e drejtësisë për diskutimin përfundimtar të projektit. Lamallari shprehu bindjen se Kodi i Ri Penal do të jetë një nga produktet më të mira ligjore që do të ketë vendi në vitet e ardhshme.
“Unë nuk mendoj që Kodi Penal matet me numrin e dispozitave që ai ka, por në thelb matet me cilësinë dhe garancitë që ai ofron në mbrojtje të interesit publik, të qytetarëve, të ekonomisë dhe parandalimit të tendencave kriminale. Nuk është nevoja të bëj referenca në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian të cilat kanë Kode me 700 apo 800 dispozita, si Italia, Spanja etj. Si harmonizohen dispozitat në një Kod kjo i përket teknikës legjislative. E rëndësishme është që ne të adresojmë 54 direktivat e Bashkimit Evropian të cilat duhet të bëhen pjesë e kuadrit ligjor vendas. Dhe në fund të kemi një produkt që garanton gjithëpërfshirjen dhe transparencën. Në datën 5 nëntor unë si ministër i Drejtësisë kam thirrur një takim me të gjithë krerët e drejtësisë për të diskutuar pikërisht për Kodin Penal. Jam i bindur që në fund të ditës do të kemi një produkt i cili është më i miri dhe që do të ketë Shqipëria për vitet që do të vinë”, tha ministri Lamallari.



