TIRANË-Nesër në seancën plenare do të merret vendimi për shkarkimin ose jo të kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi. PD me anë të një raporti akuzon Peleshin për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, si dhe për sjellje të njëanshme politike në drejtimin e punimeve parlamentare, në favor të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama.
Opozita rendit 5 shkelje që janë shkak për ndërprerjen e mandatit te kryeparlamentarit, në dy seanca të 16 dhe 18 tetorit atë ku u njoftua Ndryshimi i rregullores që çoi në shtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe mos-realizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës ‘Rama 4’.
“Kryetari i Kuvendit ka njoftuar se për projektvendimin për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit nuk do të ketë diskutime, çka është kontestuar nga deputetët e opozitës si shkelje e nenit 75, pika 2, e Kushtetutës, e lexuar së bashku me nenet 46, pika 1, 48, pika 1, dhe 117 të Rregullores së Kuvendit, pasi i mohohet e drejta e fjalës deputetëve që dëshirojnë të diskutojnë rreth ndryshimeve të propozuara. Edhe ky qëndrim është injoruar nga kryetari i Kuvendit, i cili ka vijuar me votimin dhe miratimin e projektvendimit për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit, me veprimet dhe mosveprimet e tij, në këtë periudhë të shkurtër të drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë, ka dëshmuar mungesë të plotë të angazhimit për të ushtruar funksionin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendi, si dhe duke u sjell si një vartës i Kryeministrit, i cili mori defacto edhe drejtimin e seancës së datës 18.09.2025, herë duke urdhëruar kush do fliste, herë duke urdhëruar kush deputet do të fliste për procedurë dhe herë duke urdhëuar Kryetarin e Kuvendit për procedurën që duhet të ndiqte,” thotë raporti i ligjvënësve demokratë, sipas të cilit Peleshi jo vetëm ka shkelur rregulloren, por edhe Kushtetutën.
Sa i përket raportit të opozitës edhe Partia Socialiste ka dalë me një të tillë. Në raportin e PS për kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi thuhet se nuk provohet asnjë shkelje nga ato që pretendon PD. Mazhoranca kërkon që kërkesa e opozitës të rrëzohet, duke arsyetuar se Peleshi ka treguar frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës në drejtimin e Parlamentit.
“Kryetari i Kuvendit ka zbatuar me përpikëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancës plenare. Kryetari i Kuvendit ka treguar frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës në drejtimin e veprimtarisë parlamentare në tërësi, duke respektuar më së pari kolegët deputetë të opozitës dhe duke qëndruar mbi palët gjatë drejtimit të seancës”, thuhet në raport.
Raporti i PD ashtu si i PS do hidhet për votim ne seancën e së enjtes (30 tetor), por kërkesa e opozitës është thjesht një akt politik, pasi për të shkarkuar kryetarin e Kuvendit duhen 71 vota pro.



