Rasti i volejbollistes së Dinamos, Nayara Ferreira, e pezulluar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, pasi i është kërkuar testi i gjinisë, ka tronditur komunitetin e sportit dhe jo vetëm në Shqipëri. Së fundmi për këtë lajm të raportuar ekskluzivisht nga “Panorama Sport”, ka reaguar edhe vetë volejbollistja braziliane, e cila ka shprehur të gjithë zhgënjimin e saj, duke deklaruar se i është bërë një padrejtësi.

“Ka qenë e tmerrshme dhe e vështirë, por njerëzit do të pendohen që kanë bërë këtë padrejtësi, sepse unë jam thjesht një vajzë që është e lirë dhe që ka të drejtën të ekzistojë, për t’u veshur dhe për të vepruar ashtu si ndjehem mirë dhe e vërtetë. Unë nuk jam një grua e rreme, jam një grua e fortë, me shumë luftë pas vetes.
Gjithmonë kam luftuar për të arritur qëllimet e mia dhe nuk do ta pranoj që këta njerëz të më rrëzojnë dhe të më përbaltin pa asnjë arsye. Unë jam unë, Nayara, dhe jam e lirë të jem ajo që dua të jem, ashtu si të gjitha gratë në këtë botë”, është shprehur volejbollistja 32-vjeçare me anë të një mesazhi në programin “Shqipëria Live”, duke e konsideruare kështu një përbaltje pa arsye atë që i është bërë.
PANORAMASPORT.AL








