TIRANË– Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se nën hetim në vitin 2024, 10 zyrtarë të lartë publikë janë dënuar me vendime të gjykatave të formës së prerë. Dumani shprehet se korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike ruan tendencë të lartë të qëndrueshme duke dëshmuar përhapje të praktikave korruptive në administratën publike.
“Sa i përket korrupsionit, të dhënat gjatë 2024 tregojnë tendencë në rritje të luftës kundër korrupsionit të funksionarëve publikë. 67.4 për qind e çështjeve vijojnë të mbeten pjesë e hetimit. Në 2024, 10 funksionarë të lartë publikë janë dënuar me vendime të gjykatave të formës së prerë.
Sa i takon nivelit të riskut, të dhënat mbi veprat penale në fushën e korrupsionit tregojnë nivel të lartë dhe të qëndrueshëm rreziku me tendencë zgjerimi në disa kategori krimesh. Veprat me rrezikshmëri më të lartë janë pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shkelje e barazisë në tendera.
Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike ruan tendencë të lartë të qëndrueshme duke dëshmuar përhapje të praktikave korruptive në administratën publike. Rol kyç në veprimtarinë e SPAK, ka pasur bashkëpunimi ndërkombëtar, përmend këtu krijimin e 10 skuadrave të përbashkëta hetimore, me Spanjën, Ekuadorin, Kosovën, Gjermaninë, etj.”,tha Dumani.



