Policia ruse ka arrestuar katër persona të dyshuar për tentativë rrëmbimi të Andrei Mostovoit, një futbollist i Zenit St. Petersburg. Njoftimi u bë nga Komiteti Hetimor i Federatës Ruse (IRC), i cili gjithashtu i lidhi të dyshuarit me një tjetër rrëmbim, atë të një biznesmeni, për të cilin të njëjtët burra u kapën ndërsa përpiqeshin të merrnin shpërblimin.
Incidenti ndodhi të enjten. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, 27 vjeçari, po ecte në rrugë kur një grup burrash u përpoqën ta tërhiqnin zvarrë në një makinë. Ai arriti t’i shpëtonte rrëmbimit falë ndërhyrjes në kohë të lojtarit të hokejit Alexandr Grakun, i cili ishte aty pranë.
Zëdhënësja e CIR, Irina Volk, shpjegoi se organizatorja e përpjekjeve për rrëmbim ishte një studente e vitit të dytë të universitetit që jetonte në rajonin e Leningradit, e cila koordinoi grupin nëpërmjet aplikacionit të mesazheve Telegram. Pavarësisht episodit dramatik, sulmuesi i Zenit nuk tregoi pasoja në fushë, të dielën, ai luajti rregullisht në ndeshjen e Premier League Ruse kundër Dinamo Moskë, të cilën klubi i Shën Petersburgut e fitoi 2-1, dhe madje shënoi golin e parë me një goditje spektakolare me thembër.
Një fund i lumtur për Mostovoi, por edhe një rast që ka tronditur futbollin rus për shkak të ashpërsisë dhe mënyrës së përpjekjes për rrëmbim.
PANORAMASPORT.AL








