TIRANË- Sot mbyllet zyrtarisht afati për regjistrimin e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, në 5 bashki pa kryetar. Partitë politike duhet të dorëzojnë deri në mesnatë, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dokumentet dhe emrat përfundimtarë të garuesve në pesë bashkitë ku do të zhvillohet votimi.
Partia Socialiste, me kandidatët Ervin Ceca për Beratin dhe Brunilda Mersini për Vlorën i kanë dorëzuar dokumentaconet mesditën e sotme. Ndërkohë kandidatët e tjerë, Florenc Doka në Cërrik, Altin Bojni në Mat dhe Gramoz Sako në Tepelenë, do i dorëzojnë dokumentet e kandidimit në KZAZ pasi janë bashki të vogla. Gjithashtu, edhe këshiltari i PD-së në Vlorë, Gjergj Nika, ka dorëzuar dokumentet e kandidimit si kandidat i pavarur.
Ndërkohë, kandidatët e tjerë të cilët kandidojnë të pavarur e kanë mbyllur më herët procesin e dorëzimit të dokumentevet të kandidimit. Ata kanë dorëzuar në KQZ edhe firmat mbështetëse të qytetarëve, duke siguruar të drejtën për të qenë pjesë e garës.
Më 9 nëntor do të zhvillohet zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit. Qytetarët e Vlors, Beratit, Tepelenës, Matit dhe Cërrikut do t’i drejtohen qendrave të votimit për të kryetarët e rinj të bashkive. Bashkia Tiranë, edhe pse aktualisht pa kryetar, nuk do të shkojë në zgjedhjet e 9 nëntorit, pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj pas ankimimi të kryebashkiakut Erion Veliaj për shkarkimin me vendim të qeverisë.
Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxorri dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit. Pas dekretit, avokatët e Erion Veliajt bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës. Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt më 31 tetor./ZËRI



