Hansi Flik ka një telash të madh për të zgjidhur para ndeshjes ndaj Real Madrid të kësaj të diele. Trajnerit gjerman do t’i duhet të ribëjë sulmin, pasi aty do të mungojë një nga elementët më të rëndësishëm, braziliani Rafinja.
Futbollisti kishte lënë në mes stërvitjen e të enjtes dhe këtë të premte, as nuk u stërvit fare me pjesën tjetër të skuadrës, duke lënë të kuptohet se është dorëzuar sa i përket duelit të së dielës mes dy skuadrave që luftojnë për titullin.
Sipas “AS”, kjo situatë ka bërë që Flik ta heqë fare nga lista për “El Clasico”, ku gjithsesi do të ishte një zëvendësues meqë kishte një muaj pa luajtur. Ai shihej si alternativë për pjesën e dytë, por tashmë do ta ndjekë takimin nga tribuna.
Mediat spanjolle gjithashtu shpjegojnë se tashmë nuk do të rrezikohet më lojtari me një rikuperim të parakohshëm dhe ai pritet të kthehet vetëm pas pauzës së kombëtareve në muajin nëntor.









