Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i ‘bëhet vend’ Qorit dhe Lapajt, por pa të drejtë vote


Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i

reforma zgjedhore

TIRANË- Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, që do të ngrihet në Kuvend, i ka dhënë një zgjidhje të mesme dhe interesit të partive të vogla opozitare që kërkonin të ishin pjesë e procesit.

Pas dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës për të pasur barazi votash në komision, vend i është bërë dhe dy partive, ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt dhe ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit, por që roli i tyre do të jetë i kufizuar.

Sipas dokumentit të fundit zyrtar të dakordësuar mes palëve, bëhet me dije se këto dy parti, të cilat përfaqësohen në Kuvend vetëm me nga 1 deputet për palë, mund të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, kanë të drejtën e propozimeve, por pa të drejtë vote.

Komisioni do të ngrihet mbi parimin e barazisë pozitë–opozitë, me 16 anëtarë, 7 nga Partia Socialiste, 7 nga Partia Demokratike dhe 2 nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, që janë Partia Mundësia, dhe PSD e Tom Doshit.

Drejtimin e komisionit do ta marrin dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD.

Sipas dokumentit zyrtar, komisioni do të ketë në fokus hartimin e ndryshimeve ligjore për reformën zgjedhore, shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe ato parlamentare të 11 majit 2025, si dhe për zgjedhjet e mëparshme që nuk janë trajtuar, vlerësimin e propozimeve të institucioneve zgjedhore, partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse si dhe hartimin e një ligji të ri për financimin e partive politike.

Pranë komisionit do të ngrihet edhe një grup ekspertësh teknikë, ndërsa në proces do të marrin pjesë me rol këshillues përfaqësues të OSBE-së, OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, si dhe ekspertë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Poll



Source link

Scroll to Top