Autoritetet amerikane kanë arrestuar trajnerin e Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, dhe yllin e Miami Heat, Terry Rozier, për përfshirje në baste ilegale, pas një hetimi të gjatë të FBI-së.
Sipas raportimeve të CNNi, në “rrjetën” e FBI-së ka rënë edhe një ish-lojtar i NBA-së, Damon Jones.
Rozier, i cili po zhvillon sezonin e 10-të në NBA, akuzohet për organizimin e një skeme që bazohej në baste sportive. Sipas zyrtarëve të hetimit, 30-vjeçari dyshohet se ka ndarë informacione mbi përbërjet e skuadrave dhe se cilët lojtarë do të qëndronin në stol gjatë ndeshjeve.
Madje, ai dyshohet se ka trilluar një lëndim vetëm 9 minuta pas nisjes së një ndeshjeje, me qëllim përfitimin e rrjetit të basteve.

Nga ana tjetër, Billups, kampion i NBA-së në vitin 2004, dyshohet për përfshirje në lojëra ilegale pokeri në qytete si Manhatan, Majami, Las Vegas dhe Hamptons. Hetuesit thonë se në këto lojëra kanë marrë pjesë anëtarë të së paku tre familjeve mafioze të Nju Jorkut.
Sipas zyrtarëve, Billups dhe Jones kanë marrë pagesa për pjesëmarrjen e tyre në këto lojëra, ku Jones kërkoi edhe një avans prej 2,500 dollarësh për një nga këto ndeshje.









