TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka pasur rezerva të shumta në drejtim të krytarëve të bashkive në të gjithë vendin, për paketën e maleve. Sipas Ramës shumica e bashkive në vend nuk e kanë dorëzuar hartën me zonat ku mund të investohet, pasi ndërtimi nuk është i ndaluar ligjërisht. Fillimisht kritikat i pati në drejtim të të zgjedhurve të tij vendor, ndërsa nuk kurseu dhe ata pak përfaqësues të opozitës në pushtetin lokal që ishin të pranishëm në takim.
Vetëm 5 bashki kanë dorëzuar deri tani hartat, ndërsa kritikat e Ramës shigjetuan disa prej kryebashkiakëve, duke nisur nga Kreshnik Hajdari i Kuçovës, te Benet Beci i Shkodrës.
“Ta drejtova pyetjen, jo vetëm ty por edhe atyre që tundin koken (I drejtohet kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari). Nëse ti pret përgjigje nga ASHK, nuk e ke kuptuar ligjin, nuk e ke kuptuar paketën e maleve.
Njerëzit mund ta kenë tokën, por nuk kanë marrë dokumentin që i jep me letër atë që ka në zakon dhe duan të investojnë në tokën e tyre mirëpo të gjithë kemi ngritur duart lart se nuk kanë letrat. Bëmë ligjin 20/20 për të adresuar këtë problem. Ne kemi ndërtuar këtë paketë që ti japë mundësi atij që ka tokën që të vijë në bashki e të thotë dua të ndërtoj këtu. As ti nuk e ke sjellë kështu mos pyet Ilir Xhakollin (i drejtohet Juliana Memës së Bashkisë Dimal). Po të them për paketën që paketa i jep përgjigje edhe asaj problematike që nuk ia jep ligji 20/ 20. Unë po them të njëjtën gjë. Unë e di që ke kapacitetet e Leninint që të flasësh me 7 veta në të njëjtën kohë.
Ajo që ne kemi pritur është që procesi të ngece, është hapi juaj që të përcaktoni zonat, që në këto zona duam të hapim rrugën e kësaj pakete, duke praktikisht përjashtuar vetëm ato pjesë që janë zona të mbrojtura.
Pse nuk bëhet kjo? Çfarë e pengon këtë punë, që njerëzit të rrinë të presin tu hapet rruga. Nuk kemi hartat e zonave të përcaktuara. Do të ju lutesha shumë që të përcaktoni zonat, duke përfshirë sa më shumë territore, përveç atyre pikave që për arsye ligjore është e pamundur të investohet. Më dëgjon ti kryetari i bashkisë së Kukësit, më dëgjon. Më dëgjon?! Por se di nëse më kupton?! Një nga shtysat për këtë paketë kanë qenë kuksianët, ku niveli i interesimit për të investuar është shumë i lartë nga ata që janë në emigracion. Sa herë kam ardhura atje zotrote ka ke ngritur si problem. Ka pesë muaj që i ke në dispozicion, të gjithë instrumentet, e ti akoma nuk ke sjellë hartën”, tha Rama, ndërsa vijoi me batutat me Benet Becin.
“Kjo vlen deri tek Benet Beci, që ka qenë promotori i kësaj paketa dhe unë Shkodrën nuk e shoh këtu. E kemi nisur këtë punë bashkë kur ti nuk kishe mjekër. Unë kisha dhe ti nuk kishe, tani mjekra të është bërë si mua dhe harta nuk ka ardhur akoma.
Edhe Memaliaj edhe Fushë Arrzi që janë këtu hudhrat që na mbrojnë nga syri i keq me lëkurën e tyre blu nuk kanë sjellë gjë, kështu që ju kanë shpëtuar nga vënia në pozitë të vështirë. Kjo tregon që si majtas dhe djathtas, kur shqiptarët flenë gjumë flenë gjumë”, u shpreh Rama.
Kryeministri iu bëri thirrje dhe njëherë kryetarëve të bashkive, që brenda muajit tetor, të dorëzojnë hartat, me tokat, ku mund të investohet për agro-turizëm.
“Duhet të krijoni një Task Forcë në çdo bashki, që të nxisin njerëzit të investojnë në Paketën e Maleve. 500 të parët që do të marrin kontratën, për 10 vjet nuk do të paguajnë asnjë tatim. Nëse kanë shprehur interes, duhet r’i rrini pronto, të ndihmoni ata që duan të investojnë që të jenë tek 500 të parët”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës ky projekt synon të lehtësojë investimet në zonat rurale dhe malore, duke përmirësuar aksesin në dokumentacion dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në këto zona./ZËRI



