TIRANË- Pas Partisë Socialiste, edhe Partia Demokratike ka nisur sot një trajnim mbi komunikimin publik në Kuvend të deputetëve të rinj, të dalë nga zgjedhjet e Majit.
Qëllimi i trajnimit të deklaruar nga organizatorët, është përgatitja e deputetëve të rinj të opozitës për rolin e tyre në Kuvend, përmirësimi i komunikimit publik dhe forcimi i aftësive parlamentare. Në listën e deputetëve të rinj të PD-së përfshihen Gjin Gjoni, Arjan Ndoja, Manjola Luku, Artan Luku, Kliti Hoti, Zija Ismaili, Denisa Vata, Bledi Himçi, Klodiana Çapja, Ivi Kaso, Fidel Kreka dhe Besart Xhaferi.
Por është vënë re se në këtë takim mungonin 6 nga deputetët e listës së mësipërme. Arjan Ndoja, Manjola Luku, Kliti Hoti dhe Denisa Vata nuk morën pjesë fare në takim, ndërsa Ivi Kaso mungoi për shkak të një angazhimi në selinë e PD-së. Po ashtu Besart Xhaferri mungonte për shkak të një vizite të parashikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është rasti i dytë që ish-prokurori Arjan Ndoja ka dalë kundër vijës politike të Berishës. Pak ditë më parë nga Kuvendi, ai foli për deputetë dhe aksione opozitare që bëhen me regji, ndërsa paralajmëroi se nuk do të ishte pjesë e tyre.
Programi për trajnimin e deputetëve të rinj përfshin disa sesione tematike me ekspertë të njohur. Në panelin e parë, Neritan Sejamini do të trajtojë çështjen e komunikimit publik dhe mënyrën se si deputetët ndërveprojnë me opinionin. Më pas, Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike (ISP), do të flasë mbi rolin e deputetit në forcimin e demokracisë dhe parlamentarizmit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në nisje të takimit, kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh se Parlamenti është ‘universiteti’ më i mirë i politikës. Ai nënvizoi se të jesh deputet kërkon “angazhim të madh dhe ndershmëri të palëkundur ndaj interesit publik”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi edhe vendimin për rritjen e pagave të deputetëve, duke e quajtur atë “të gabuar dhe të padrejtë në kushtet ku ndodhet vendi”.
Ai shtoi se, pavarësisht roleve të ndryshme që mund të kenë gjatë karrierës, “funksioni i deputetit mbetet gjithmonë i veçantë”.
Kreu i opozitës vuri në dukje mungesën e mbështetjes që kanë parlamentarët në punën e tyre. “Deputetët sot nuk kanë asnjë ndihmës, gjë që e bën punën e tyre edhe më të vështirë”.
Berisha dha edhe një këshillë për të rinjtë që nisin rrugëtimin në politikë. “Në çdo rrethanë, mos shkelmoni parimin e të drejtave të njeriut. Ju jeni në një mision që shpresoj t’ju frymëzojë dhe t’ju udhëheqë”.
Duke folur për situatën politike në vend, ai theksoi se, ndonëse Shqipëria ka pluralizëm, ky pluralizëm është “i shtypur nga pushteti”.
Në përmbyllje të fjalës, Berisha nënvizoi rëndësinë e parlamentit si themel i sistemit demokratik.“Konsolidimi i parlamentit është kushti më themelor i një demokracie funksionale. Deputeti duhet të mbrojë atë që beson, duhet të jetë vetvetja”./ZËRI




