Jurgen Klop pranoi në podkastin “Diary of a CEO” se mund të kthehet një ditë te Liverpuli, nga ku largua 1 vit e ca më parë.
Ish-trajneri ka diskutuar tema të ndryshme, duke përfshirë edhe vdekjen e Diogo Zhotas. Ndonëse ajo që ka bërë më tepër bujë ka qenë deklarata e një rikthimi të mundshëm me “Reds”: “Thashë se nuk do të stërvisja më kurrë një ekip në Angli, që do të thotë se, nëse është Liverpooli, në teori gjithçka është e mundur. Nuk e di të them asgjë me siguri, pasi e dua atë që bëj tani. Nuk më mungon të stërvitem! Vazhdoj të stërvitem vetë, por në një mënyrë tjetër. Nuk më mungon të shkoj në konferenca për shtyp tre herë në javë, pasi jap 12 intervista në javë”, shtoi Klop.
MAN.JUNAITID – Ndër të tjera, gjermani ka treguar për herë të parë arsyet pse nuk pranoi të merrte drejtimin e Mançester Junaitid pas largimit të Sir Aleks Ferguson. “Më thanë në takim: ‘Do t’i marrim të gjithë lojtarët që dëshiron… Do ta sjellim këtë, edhe këtë, edhe atë’. Dhe unë rrija e mendoja se kjo nuk është mënyra ime për të ndërtuar një ekip”, rrëfeu Klop. Ai shtoi se planet e drejtuesve për rikthimin e disa ish-lojtarëve nuk i pëlqyen aspak: “Nuk doja të sillja përsëri Paul Pogba! Nuk doja të sillja përsëri Cristiano Ronaldon; kjo nuk do të ndihmonte! Këto gjëra nuk funksionojnë, sipas meje! Ideja e tyre ishte të grumbullonin lojtarët më të mirë, por pa folur asnjëherë për futbollin në vetvete”. Sipas Klopit, vendimi për të refuzuar Junaitid u bë edhe më i lehtë kur Liverpuli i ofroi një projekt “të pastër futbolli”.
DIOGO ZHOTA – “Si e zëvendëson dikë si Diogo? Nuk ka të bëjë me lojtarin, por me njeriun që ishte. Ai shkonte mirë me të gjithë, absolutisht me të gjithë. Që nga dita e parë, dha gjithçka. Ai i tejkaloi të gjitha pritjet si person, ishte shumë inteligjent dhe një shok skuadre i jashtëzakonshëm. Nuk mund ta imagjinoj dhomën e zhveshjes pa të. Ishte një tronditje e jashtëzakonshme, edhe për të gjithë lojtarët. Askush te Liverpul nuk do ta përdorë kurrë vdekjen e Diogos si justifikim. Por kjo është situata çdo ditë. Ata kalojnë çdo ditë nëpër ato dhoma, ku edhe ai ecte. Është e pamundur të mos përballesh me gjithçka”, ishin fjalët e Klopp mbi humbjen e Zhotas. Aktualisht, gjermani është drejtor i futbollit te Red Bull që nga janari i këtij viti.
PANORAMASPORT.AL









