DITA 2! ‘Drejtësia dhe zgjedhjet’- Celibashi: Kolegji Zgjedhor mos merret me hetim! Sadushi: Reforma është ngadalësuar


DITA 2! 'Drejtësia dhe zgjedhjet'- Celibashi: Kolegji Zgjedhor

Ilirjan Celibashi

TIRANË-Po mbahet në Tiranë dita e dytë e Konferencës me temë “30 vite partneritet dhe progress: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias. Diskutimet fokusohen në tre tema kyçe: reforma në drejtësi dhe vettingu, reforma zgjedhore dhe drejtësia kushtetuese, me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare.

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi renditi çështjet kyçe që sipas tij duhet të adresohen urgjentisht në reformën e ardhshme zgjedhore, duke përfshirë votimin për personat me pamundësi, riorganizimin e komisioneve dhe rregullat për referendumet.

Ilirjan Celibashi: Për të nxitur debatin, po bëj një listë të atyre çështjeve që ne mendojmë se duhet të adresohen në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore. Duke filluar me organizimin e komisioneve të palëve të treta. Mendoj se vetëm përbërja politike partiake e këtyre komisioneve nuk kontribuon në integritetin e procesit zgjedhor, në mirëadministrimin e tij, në transparencë dhe në elementë të tjerë që duhet t’i gëzojë një proces i drejtë, i barabartë dhe i ndershëm. Nuk jam dakord me propozimin e maxhorancës, ku anëtarët e komisionit të jenë të gjithë nëpunës të shërbimit civil. Mendoj se nuk është koha që partitë politike të përjashtohen plotësisht, por roli i tyre nuk duhet të jetë parësor, por dytësor. Mendoj se ka ardhur koha që Kolegji Zgjedhor nuk ka më arsye pse të jetë instanca që merret me hetimet zgjedhore; mund të jetë Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë. Organizimi dhe funksionimi i KQZ-së, duke qenë në konflikt të hapur interesi, edhe pse s’kam asnjë të tillë brenda vetes, do doja që partitë politike të vendosin për këtë.

Në këtë takim edhe nënkryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Damian Gjiknuri, theksoi rëndësinë e një reforme të mirëfilltë që adreson financimin e partive politike në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Pjesë e tryezës është dhe ministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu. Në fjalën e tij ai theksoi se vettingu është një proces i domosdoshëm që ka ekspozuar plagët e këtij sistemi. Sallahu tha se sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës.

“Vettingu proces i domosdoshëm, ka ekspozuar plagët e sistemit tonë, korrupsionin, mungesën e meritokracisë. Është të ndarë të drejtën nga e padrejtësia, për të ndarë shërbimin publik nga shërbimi personal. Më mirë një boshllëk i përkohshëm se sa një drejtësi e kalbur. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës, një drejtësi që nuk është e verbër përballë padrejtësisë. Vettingu është dera që hapet për një sistem të ri, më të ndershëm dhe duhet të mbrohet nga të gjithë ne me kurajo dhe përkushtim”, tha ai.

Fjalë e mori dhe Presidentja e Komisionit të Venecias, Hanna Suchocka, e cila vlerësoi përparimin që Shqipëria ka bërë në reformën e sistemit gjyqësor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës. Ajo përmendi bashkëpunimin e hershëm me institucionet shqiptare që prej vitit 1998, kur u hartua Kushtetuta e parë e Shqipërisë pas kalimit në sistemin demokratik, dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Komisionit të Venecias në proceset reformuese, veçanërisht në drejtësi.

“Shqipëria ka bërë hap madhor drejt reformimit të gjyqësorit. Kjo është theksuar qartësisht në opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2016. Dhe Komisioni ka përgëzuar autoritetet shqiptare dhe ekspertët e Komisionit të Posaçëm në lidhje me përgatitjen e Reformës Kushtetuese për gjyqësorin. Ne vazhdojmë që të kemi dialog të përhershëm”, u shpreh Suchocka.

Të pranishëm në këtë panel janë edhe drejtues të institucioneve të drejtësisë, si kreu i SPAK, Altin Dumani, i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi dhe avokatja e Popullit Erinda Ballanca./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top