TIRANË-Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka diskutuar në Komisionin e Ligjeve mbi raportin vjetor. Drejtuesja e KLP, Mirela Bogdani u pyet edhe për një qëndrim për draftin e Kodit të ri Penal. Ajo tha se KLP ende nuk ka një qëndrim të qartë për sa kohë nuk ka mundësinë infrastrukturore për ta analizuar.
Mirela Bogdani: Ky ka qenë një proces tërësisht i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë. Kemi pritur të kemi një material të cilin mund ta gjykojmë. Kemi pasur një diskutim informal për qëndrimin që ne si Këshill mund të mbajmë, për qasjen pro apo kundër kodit apo seksioneve të veçanta të tij, sepse duhet një punë e jashtëzakonshme për të analizuar të gjitha ato nene, për të parë direktivat e Bashkimit Europian dhe se si përjashtohen. Kërkon një ekspertizë të gjerë në kohë dhe burime njerëzore që Këshilli për momentin nuk i ka. Ka nevojë për një vlerësim dhe vendimmarrje për t’u analizuar në detaje.
Ndërkohë e pyetur për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Bogdani tha se roli që ka KLP, në këtë proces është formal, dhe vetëm pret emrin e përzgjedhur nga SPAK dhe Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim, që ta emërojë.
Mirela Bogdani: Ne jemi duke pritur nga Prokuroria e Posaçme që të sjellë propozimin për ta caktuar sipas ligjit. Ndoshta mund të jetë momenti që Këshilli të ketë një rol më aktiv të procedurës së ndjekur, por roli i Këshillit është vetëm formal. Ne e kemi diskutuar gjatë këtë dhe arritëm në përfundimin që nuk mund të dalim nga parashikimet e legjislacionit. Ne do të presim emrin nga SPAK dhe komisioni. Sa i përket drejtuesit të SPAK, unë e përmenda pak më parë që kemi miratuar kushtet dhe kriteret formale për prokurorët që kanë aplikuar. Këshilli më pas do të vijojë me verifikimin e platformës, dosjeve që kanë sjellë, analizë dhe konkluzion përfundimtar në seancën dëgjimore, intervistën dhe votimin. Ka sugjerime, nuk ka presione.
Në Komision është ngritur edhe problemi për dosjet stok dhe numrin e prokurorëve. Në lidhje me këtë çështje anëtari i KLP-së Vatë Staka gjatë raportimi në Kuvend, ka deklaruar se duhet të shtohet numri i prokurorëve. Sipas tij, ka disa prokurorë që nuk e ushtrojnë dot detyrën e prokurorit për shkak të Reformës në Drejtësi. Nga ana tjetër drejtuesja e KLP, tha se i kanë kërkuar në mënyrë informale BE-së një studim për numrin e prokurorëve./ZËRI



