Opozita bashkoi votat për rezolutën në BE, Rama: U befasova, por…e kuptuan se bllokimi i negociatave nuk ekziston


Opozita bashkoi votat për rezolutën në BE, Rama: U befasova,

edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” vlerësoi miratimin në Kuvend të rezolutës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, e cila u mbështet edhe nga opozita. Ai e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv dhe një sinjal bashkimi për të ardhmen europiane të vendit.

Duke komentuar votimin dhe bashkimin e opozitës, Rama shtoi me një ton ironik se edhe ajo e ka kuptuar se nuk ekziston bllokimi i negociatave. Më tej, kreu i qeverisë shqiptare paralajmëroi se së shpejti pritet një “lajm i ri dhe i mirë” lidhur me hapjen e kapitujve të negociatave.

 

“Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë.

Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave.

Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur”, tha kryeministri Rama.

Në seancën e 14 maji, Kuvendi votoi me shumicë të cilësuar projektrezolutën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mazhoranca dhe opozita u dakordësuan dhe votuan me 114 vota pro projekt-rezolutën e përbashkët.

Rezoluta parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, draft rezoluta parashikon forcimin e kontollit parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top