SHKODËR- Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale-Administrative ka vijuar edhe sot diskutimet për reformën territoriale, duke zhvilluar dëgjesën e gjashtë në Shkodër. Konsultimi publik u fokusua te mënyra se si bashkitë funksionojnë dhe ndikimi i tyre në jetën e përditshme të qytetarëve.
Bashkëkryetari socialist, Arbjan Mazniku, theksoi rëndësinë e bashkive funksionale, duke nënvizuar se mënyra e organizimit të tyre ndikon drejtpërdrejt në shërbimet dhe mirëqenien e çdo qytetari në vend. Ai shtoi se kjo është edhe arsyeja pse diskutimet për reformën po tërheqin kaq shumë interes nga publiku.
“Ndaj kur ne flasim për mënyrën se si funksionojnë dhe se si duhet të funksionojnë bashkitë, po flasim për një element që prek jetën e përditshme të çdo njeriu që jeton në Shqipëri. Ndaj të pasurit bashki funksionale, nuk është thjesht një element që duhet të na funksionojë mirë ky institucioni, por lidhet që të na funksionojë mirë jeta e përditshme e çdo njeriu në Republikën e Shqipërisë. Ndaj besoj se kjo ka qenë një arsye, pse ky diskutim që po bëjmë ka shfaqur kaq shumë interes.”, tha Mazniku.
Mazniku identifikoi 4 sfida kryesore që duhet të adresohen për të përmirësuar funksionimin e pushtetit vendor:
Së pari, Mazniku theksoi nevojën për më shumë efiçencë, duke shpjeguar se shumë bashki nuk arrijnë të kryejnë të gjitha kompetencat ligjore që kanë, që aktualisht janë 42.
“Në pikëvështrimin tonë janë së paku katër sfida kyçe që e ndikojnë shumë mënyrën se si funksionon pushteti vendor. Së pari në këtë moment, na duhet një efiçencë më e lartë e pushtetit vendor, e mënyrës se si funksionojnë bashkitë, si ofrojnë shërbime? Si i zbatojnë kompetencat që kanë? Sot bashkitë kanë 42 kompetenca që i janë dhënë me ligj dhe ne kemi kuptuar që shumë bashki nuk ia dalin dot që t’i kryejnë.”, tha Mazniku.
Së dyti, ai vuri në dukje sfidën demografike, duke folur për lëvizjen e popullsisë nga fshati drejt qytetit dhe nevojën për të menaxhuar këtë ndryshim.
Së treti, Mazniku foli për zhvillim të qëndrueshëm, pra që të synohet një zhvillim i balancuar mes zonave të ndryshme.
Pika e katërt dhe më e rëndësishmja sipas tij është integrimi në Bashkimin Evropian, i cili përbën një sfidë strategjike për të ardhmen e reformës.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i këtij komisioni, Luçiano Boçi, theksoi se sfida më e madhe e reformës territoriale qëndron tek territori.
Boçi nuk la pa përmendur sipas tij, përpjekjes e mazhorancës për të reduktuar numrin e bashkive. Lidhur me këtë, demokrati solli në vëmendje ndryshimet e vitit 2014.
“Sfida është funksionaliteti, ana administrative dhe katër sfidat që na çuan këtu të çojnë në një kryesfidë apo sfidë të vetme. Kujtoj këtu shprehjen se ‘të gjitha rrugët të çojnë në Romë’, këtu të gjitha sfidat të çojnë tek territori. Mos e lejmë si segmenti i dytë, është segmenti parësor. Aq më tepër që politikisht mund të themi që mazhoranca është shpallur agresivisht në këtë drejtim, për uljen sa më të mundshme të numrit të bashkive, siç u bë në vitin 2014.”, tha Boçi.
Boçi nënvizoi se bashkia nuk mund të ushtrojë autoritetin e saj në distanca shumë të largëta, dhe se territori nuk është thjesht një koordinatë gjeografike, por edhe një dimension historik, kulturor dhe shpirtëror.
“Bashkia nuk ka mundësi që të ushtrojë autoritetin e saj në një largësi shumë të madhe. Territori nuk është vetëm koordinatë gjeografike, por edhe identitet historik, territorial, kulturor e shpirtëror.”, tha Boçi.
Reforma territoriale mbetet një çështje kyçe për organizimin administrativ të vendit dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kompromiset mes partive në tavolinë, do të vendosin formën përfundimtare të ndarjes së bashkive./ZËRI



