TIRANË- Aktivistja Evi Kokalari ka depozituar një kërkesë-padi në Gjykatën e Tiranës kundër PD, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të procesit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të partisë.
Kjo lëvizje vjen pas refuzimit të kërkesës së saj nga Komisioni Zgjedhor i PD-së për t’u regjistruar si kandidate në garë. Tashmë Kokalari, njëjtë si mjekja Mereme Sela, po kërkon drejtësi përmes procesit gjyqësor.
Lajmin e bëri me dije vetë Kokalari përmes një postimi në rrjete sociale, ku krahas fotove të padisë, shkruan: “Padia kundër Sali Berishas është depozituar tashmë dhe është caktuar dhe gjykatësi përkatës”.
Në dokumentin paraqitur më 7 maj 2026, argumentohet se procesi aktual cënon parimin e konkurrimit të lirë dhe të shanseve të barabarta në garën për drejtimin e partisë.
Sipas dokumentit, Kokalari i kërkon gjykatës:
-pezullimin e menjëhershëm të të gjitha veprimeve të KOKOE-së dhe organeve të tjera të PD-së lidhur me procesin zgjedhor;
-pezullimin e efekteve juridike të çdo vendimmarrjeje të marrë në kuadër të këtij procesi;
-ndalimin e zhvillimit të mëtejshëm të procedurave zgjedhore, përfshirë administrimin e votimit dhe shpalljen e rezultatit;
-pezullimin e çdo pasoje juridike që mund të prodhohet nga zgjedhjet deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Në garën për kreun e PD, Evi Kokalari nuk ishte e vetmja nuk u lejua të merrte pjesë. Gjithashtu, edhe mjekja Merema Sela, pas përjshtimi nga gara iu drejtua Gjykatës së Tiranës, e cila e refuzoi padinë e mjekes më argumentin se mungojnë dokumentet shoqërues.
Mesnatën e 30 prillit skadoi afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike, pasi Komisioni Zgjedhor në PD ka skualifikuar nga gara mjeken Mereme Sela si dhe kandidatin tjetër Vladimir Mulaj. Në vendim thuhet se Sela dhe Mulaj, nuk janë kualifikuar si kandidatë pasi nuk plotësonin kriteret. Ndërkohë kandidaturat e ish-deputetit Ervin Salianji, aktivistes Evi Kokolari dhe Alesia Balliut u refuzuan./ZËRI



