TIRANË- Genta Tafa (Bungo) u betua sot në Kuvend si Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Menjëherë pas miratimit të projekt-rezolutën për integrimin në BE, në Kuvend u paraqit Genta Tafa për të bërë betimin e saj mbi detyrën e re.
Por, ky moment u kontestua nga opozita. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi ashpër dhe drejtoi akuza të forta.
“Ky është një turp kryetar, një njeri që ka diskriminuar veriun… Një njeri që është përdorur politikisht në procesin e Vettingut… Ky është turp, turp, turp”, tha Bardhi teksa Tafa ishte në foltore gjatë momentit të betimit.
Por, pavarësisht kontestimeve, mes zhurmës në sallë, Tafa kreu procedurën dhe u largua.
Kandidatura e Tafës për Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi i kaloi Kuvendit për votim vetëm me votat e socialistëve në Komisioni i të Drejtave të Njeriut dhe Medias./ZËRI



