Miratimi i rezolutës për integrimin! PD: Kryeministër karton. Balla: Të mos ta prishim punën


Miratimi i rezolutës për integrimin! PD: Kryeministër karton.

Gazment Bardhi

TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi llogari në Kuvend për mungesën e kryeministrit Rama në ditën kur do të diskutohet projektrezoluta për integrimin. Bardhi e cilësoi Ramën si një “kryeministër karton”, që siç u shpreh ai, vjen vetëm kur nevojitet numri i votave për miratim.

“Raportimi i Këshillit të Ministrave për integrimin është pjesë e llogaridhënies që qeveria duhet të japë në Kuvend dhe ky është një raport i Këshillit të Ministrave. Është kryeministri që, sipas Kushtetutës, përfaqëson Këshillin e Ministrave në raport me institucionet e tjera dhe do të duhej të ishte kryeministri në seancë që të informonte Kuvendin mbi procesin e integrimit europian. Aq më shumë që ne kemi një ministër shteti përgjegjës për negociatat e BE-së, që gjithashtu sot nuk është prezent në seancë plenare. Nëse llogaridhënia bëhet me korrespondencë, po ju sqaroj se nuk funksionon kështu. Secili përgjigjet sipas përgjegjësive kushtetuese që ka përpara Kuvendit. Nuk mund të ndodhë që ne të diskutojmë për një proces që bashkërisht, edhe në draft-rezolutën që do miratojmë, e kemi quajtur prioritet strategjik mbarëkombëtar dhe ne nuk kemi prezent në seancë kryeministrin. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të vijë në Kuvend, që nga nisja e kësaj legjislature deri më sot ka ardhur vetëm dy herë për të votuar. Është kryeministër karton! Pra, vjen vetëm kur duhet numri përkatës për votat në Kuvend. Nuk ndodh në asnjë vend të botës”-tha Gazment Bardhi.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se debati duhet të vijojë sipas procedurës parlamentare dhe pa penguar procesin e miratimit të rezolutës.

“Ky mocion me debat sot është i lidhur me nenin 103, ku thuhet se në përfundim të debatit miratohet rezoluta, e cila ka kaluar me konsensus. Do ishte në të mire të procesit, që të lexojmë rezolutën dhe më pas të çelim debatin. Të mos ta prishim punën e mirë të komisionit dhe të shkojmë përpara me diskutimet”, tha Balla.

Poll



Source link

Scroll to Top