TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj gazetarit të Euractiv, Eddy Wax, lidhur me artikullin e publikuar një ditë më parë (12 maj), për qendrat e emigrantëve në Gjadër, të cilat ngritën reagime mbi një ndërprerje të mundshme të marrëveshjes për emigrantët në vitin 2030.
“Shqipëria ka deklaruar se nuk do ta zgjasë marrëveshjen me Italinë përtej vitit 2030, pasi synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri atëherë, gjë që do ta bënte të panevojshme skemën aktuale”, shkruan Wax, duke cituar Ministrin E jashtëm Ferit Hoxha, fjali kjo që ngjalli shumë reagime.
Pas këtij shkrimi, kryeministri Edi Rama sqaroi dje publikisht se marrëveshja do të jetë në fuqi sa kohë të dojë Italia dhe median në fjalë e akuzoi për citimin e pasaktë të kryediplomatit shqiptar. Gazetari Wax në një ‘newsletter’ të publikuar sot, dhe me nëntitullin ‘Edi kundër Eddyt’, shkruan se u habitën kur panë postimin e kryeministrit Rama, i cili sfidonte raportimin e tyre për intervistën e Hoxhën dhe më tej ka publikuar të plotë citimin e shefit të diplomacisë mbi çështjen e Gjadrit.
Vetë kryeministri Edi Rama pas publikimit të deklaratës së plotë të ministrit Hoxha është shprehur se tani është shumë e qartë se citimi i reduktuar ishte mjaftueshëm mashtrues për këdo.
“I dashuri im Eddy Wax
E kuptoj plotësisht që është qesharake të krijosh një histori Edi kundër Eddy-t, por këtu nuk ka vend për këtë, sepse së pari, nuk u ankova për Edin tjetër, dhe së dyti, tani që e keni botuar me bujari transkriptin e plotë, është shumë e qartë se citimi i reduktuar ishte mjaftueshëm mashtrues për këdo që ka një interes të brendshëm ideologjik ta përdorë atë.
Por realisht, pa asnjë ndjenjë të keqe. Njëri Eddy duhet të bëjë çfarë të dojë, dhe tjetri Edi duhet të durojë atë që duhet. Në fund të fundit, mbetet e pandryshuar: atë që Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”, shkruan Rama.



