TIRANË- Tirana do të jetë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, një ngjarje që do të mbledhë vitin e ardhshëm në Shqipëri personalitetet më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare.
Ndërkohë, këtë të mërkurë në kryeqytet u zhvillua sesioni i hapjes së këtij kongresi, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Në fjalën e tij, Rama e cilësoi këtë moment si të veçantë për vendin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit mbi forcën.
“Ky është një moment prekës, sepse Shqipëria bëhet pjesë e një aktiviteti me prestigj botëror. Një botë që udhëhiqet nga ligji dhe jo nga forca është ajo shoqëri ideale, që synon sot njerëzimi. Kongresi Botëror i Ligjit u krijua, pikërisht për të përcjellë mesazhin se bota duhet të drejtohet nga ligji dhe jo nga forca. Besojmë se askush nuk do e imagjinonte se Shqipëria do bëhej epiqendra e një Kongresi të tillë.
Vettingu ishte një pikë kyçe, duke bërë të gjitha përpjekjet që historia e drejtësisë shqiptare të bëjë një kthesë të madhe. Partnerët tanë janë të çmuar në këtë rrugë, sepse mbështetja e tyre ka qenë me rëndësi të dorës së parë. Në sondazhe rezultonte se mbi 90 përqind e shqiptarëve e donin vettingun në drejtësi dhe ky ishte rezultat fantastik. Por mbi 80 përqind nuk kishin besim se do shikonin një drejtësi të fortë dhe se do kishte barazi para ligjit. Kjo ndodhte sepse ishin mësuar se drejtësia ishte gjithmonë në duart e më të fuqishmëve. Më 2013 ne e bëmë atë që askush nuk e kishte imagjinuar kurrë, duke vendosur që njerëzit me pushtet të dorëzojnë shpatën e drejtësisë”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut, duke e cilësuar atë si një pikë kyçe në transformimin e sistemit gjyqësor në vend. Sipas tij, reforma në drejtësi do të vazhdojë pavarësisht sfidave dhe kostove.
“Njerëzit nuk mund të korruptojnë dot një sistem, kur ky sistem garanton sundimin e ligjit. Shumë shqiptarë në Shqipëri nuk vendosnin rrip sigurie në makinë, ndërsa në Gjermani e vendosnin. Kjo sepse sistemi në Gjermani nuk është arbitrar. Kjo duhet dhe do të ndodhë dhe në vendin tonë. Ne jemi në këtë sfidë, që të mos lejojmë që të ketë kthim mbrapa. Nëse shqiptarët nuk do e donin kaq shumë BE-në, nuk do arrinim kurrë që të vendosnim barazinë para ligjit. Bashkimi Europian është burimi i vetëm në botë, për të mësuar sesi ndërtohen institucionet.
Reforma në drejtësi do të shkojë përpara, me të gjitha kostot e veta. Nuk do lejojmë, që të lëkundet ajo që është ndërtuar, në aspektin e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie. Kongresi Botëror i Ligjit 2027 është një stacion, ku ne duhet të shkojmë me një program përgjatë gjithë harkut të vitit, për të siguruar që në Kongres, që Shqipëria nuk merr një vlerësim të jashtëzakonshëm, por shfrytëzon praninë e një numri njerëzish, që përfaqësojnë shtetin e së drejtës, për të dalë me angazhim të ripërtërirë në raport me të nesërmen”, deklaroi kreu i qeverisë.



