TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, njoftoi se Partia Socialiste do t’i drejtohet Kuvendit me një propozim për ndryshime në Kodin Rrugor. Nisma që vjen pas aksidentit tragjik të ndodhur mesditën e 3 majit, në Durrës, ku humbën jetën tragjikisht dy të mitur.
Manja njoftoi nismën që në nisje të Komisionit, duke shtuar se po shqyrtohen të gjitha boshllëqet ligjore për të bërë ndryshimet e duhura në kodin rrugor dhe penal, si përgjigje ndaj ngjarjes. Po ashtu, Manja theksoi se shoferi Nikoll Radaçi duhet të marrë dënimin e merituar dhe nuk meriton të jetë pjesë e shoqërisë.
“Ky komision ka përgjegjësi që këtë ngjarje të rëndë që ka ndodhur ta përkthejë në ndryshime ligjore. Së bashku me disa kolegë të mazhorancë do ti drejtojmë kuvendit shumë shpejt do të propozojnë ndryshime në kodin rrugor dhe atë penal si kundërpërgjigje adekuate të kësaj situatë. Po shohim të gjitha boshllëqet që ka kodi për të bërë ndryshimet e duhura. Autori i kësaj vepre penale gjithçka mund të përfaqësojë, nuk meriton të jetë më mes nesh dhe të marrë ndëshkimin shembullor sipas ligjit”, tha Manja.
Mbremjen e djeshme, gjatë seancën plenare në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe kërkoi ndryshim dhe ashpërsi të Kodit Penal, duke e konsideruar ngjarjen në Durrës si një ‘vrasje me dashje’.
Pas tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, paralajmëroi rishikim të Kodi Penal i Shqipërisë, duke theksuar se ndëshkimet aktuale nuk janë të mjaftueshme për raste të tilla të rënda./ZËRI





