TIRANË- Këshilli për Legjislacionin zhvilloi sot mbledhjen e radhës për të diskutuar dy vendime të Gjykatës Kushtetuese: zhbërjen e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit dhe rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në mbledhje nisi diskutimi mbi përbërjen dhe numrin e komisioneve sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësuesit e opozitës theksuan se ndryshimet duhet të realizohen me konsensus, ndërsa mazhoranca u pajtua mbi procesin që do të ndiqet. Këshilli i la detyrë Kuvendit që të ripunojë rregulloren në bazë të rekomandimeve të gjykatës dhe të dërgojë një relacion kryetarit të Kuvendit.
Sa i përket pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, Sekretar për Çështjet Ligjore, kërkoi nga Ministria e Financave implementim të menjëhershëm të vendimit.
“Mbi të gjitha, edhe për shkak të efekteve retraktive që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë, sigurisht kërkohet një investim i rëndësishëm nga Ministria e Financave. Pra, Ministria e Financave duhet të marrë masat për implementimin e menjëhershëm të kësaj vendimmarrjeje,” tha Kaso.
Nga ana tjetër, edhe deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, theksoi se qeveria dhe Ministria e Financave duhet të bëjnë ndryshimet e nevojshme në sistemin e pagave, duke u bazuar në dialog me institucionet e drejtësisë për të arritur një ekuilibër brenda sistemit.
“Është e nevojshme që të vendoset edhe një ekuilibër i pagave brenda sistemit, sepse ç‘është e vërteta ka një shpërpjesëtim edhe të pagave brenda sistemit. Duhet të ketë një shikim të kujdesshëm por edhe një dialog ndërmjet qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, ndoshta edhe me prezencën e Kuvendit. Për një zgjidhje përfundimtare, të qartë, që në vijim indeksimi të jetë normale. Ka nevojë për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Xhafaj.
Rregullorja e Kuvendit
Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit janë miratuar në seancën e 16 shtatorit me 79 vota pro vetëm nga mozharanca socialiste. Njëri prej ndryshimeve kryesore, është ajo e komisioneve parlamentare, duke kaluar në 11 nga 8 që ishin më parë. Opozita i kundërshtoi në seancë ndryshimet e miratuara dhe i konsideroi “puç” kushtetues, dhe i dërgoi në Kushtetuese për shkelje procedurash nga parlamenti. Me vendimt të datë 23 shkurt, Kushtetuesja e rrëzoi Kuvendin.
Lidhur me këtë, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Partisë Demokratike. Sipas Gjykatës Kushtetuese do të duhet që ligjvënësit të ribëjnë edhe një herë procedurën parlamentare, sa i përket rikonstruimit të komisioneve parlamentare, të cilat kaluan nga 8 në 13 të tilla, bashkë me ndryshimet e reja të propozuara nga socialistët.
Pagat e gjyqtarëve
Sipas vendimit të bërë publik, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat Kuvendit që deri në muajin korrik, të vendosë për formulën e re për pagat e gjyqtarëve. Sipas Kushtetueses i takon Kuvendit të Shqipërisë për përzgjedhjen e referencës, ku do të bazohet përcaktimi i pagës për magjistratët.
Shoqata e Gjyqtarëve çoi në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë të vitit 2023, në të cilin ndryshohej formula e pagave të gjyqtarëve, duke argumentuar se formula e re cenonte nenin 133 të Kushtetutës./ZËRI





