TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punimet e seancës plenare këtë të hënë me një minutë heshtje, për dy të miturit, të cilët u përplasen për vdekje në Durrës. Ngjarja tragjike u regjistrua të dielën e 3 majit në lagjen nr.15, në qytetin e Durrësit.
Drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, shprehu tronditjen dhe theksoi dhimbjen e madhe për familjet e viktimave.
“Ngjarja tragjike ka prekur thellësisht opinionin publik dhe ndërgjegjen shoqërore. Humbja e jetëve në një moshë kaq të re përbën një dhimbje të madhe për familjet, por edhe për të gjithë ne si anëtarë të Kuvendit. Ëngjëjt u prehshin në paqe”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu.
Menjëherë më pas, deputetët u ngritën në këmbë në shenjë respekti për viktimat, ndërsa seanca vijoi më pas me rendin e ditës.
Seanca e sotme plenare zhvillohet për diskutime për çështjet apo problematikat e evidentuara nga zgjedhësit pas Javës së Gjelbër./ZËRI



