‘Natë e rëndë për Kosovën’, Vjosa Osmani reagon pas dështimit për presidentin: Bashkohuni, mjaft me urrejtje


‘Natë e rëndë për Kosovën’, Vjosa Osmani

Vjosa Osmani

KOSOVË-Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Përmes një videoje në rrjete sociale, Osmani kërkon të ndalet përçarja e propaganda dhe të zëvendësohen me dashuri e të vërtetë, teksa bën thirrje që të bashkohen në këtë mision.

Vjosa Osmani: Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngrihet edhe nga momentet më të rënda. Ka ardhur momenti që të japim dashuri për vendin tonë, mjaft më me propagandë, me urrejtje e përçarje, e ndjellje të frikës. Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim vetëm dashuri për njëri-tjetrin dhe vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë, aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Të bashkohemi në këtë mision sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë gjithmonë hapen nga populli.

Pas disa tentimeve në Kuvend dhe mungesës së konsensusit politik mes pozitës dhe opozitës, partitë nuk arritën të sigurojnë kuorumin dhe marrëveshjen e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit. Dështimi për zgjedhjen e presidentit e ka çuar vendin në një situatë të re politike. 

Moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. Brenda 45 ditësh Kosova duhet të mbajë zgjedhje që llogariten të zhvillohen rreth fillimit të qershorit. Këto do të jenë zgjedhjet e pesta që nga viti i kaluar./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top