TIRANË- Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialsite e kryesuar nga kryeministri e njëherësh kryesocialisti, Edi Rama, është shoqëruar me debate. Sipas burimeve në mbledhje, Rama pati një përplasje me ish-ministren e Jashtme dhe njëherësh deputeten e PS-së, Elisa Spiropali. Shkak janë bërë akuzat që kjo e fundit ka ngritur në publik duke shigjetuar qeverinë dhe Partinë Socialiste.
Po sipas burimeve, Rama ka kritikuar ashpër Spiropalin dhe i ka kërkuar më shumë kujdes në komunikimin publik nga anëtarët e grupit, që të mos krijohen situata të panevojshme dhe ‘drama’ në publik. Madje, bëhet me dije se Rama i ka vënë ultimatum Elisa Spiropalit, duke e paralajmëruar se duhet të zgjedhë ose të jetë më PS-në ose kundër saj.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbylluara, kreu i qeverisë i ka ngritur tonet dhe i ka kërkuar Spiropalit që të ndalë postimet në rrjetet sociale kundër PS-së, pasi në të kundërt, do të përjashtohet.
Teksa ka marrë fjalën në fund të mbledhjes, Rama i është drejtuar Spiropalit, duke thënë:
“Te puna e partisë nuk mund të bëni drama, dhe për këtë po i drejtohem ty, Elisa. O me ne, o përballë nesh, merr frymë thellë dhe kupto atë që ke bërë.”, mësohet se ka thënë Rama.
Më tej, kryeministri ka vijuar duke thënë se kjo është përgjigje për të gjitha ato që ajo ka shkruar në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, Spiropali ka kërkuar të drejtën e fjalës, por kjo i është mohuar nga Rama.
“Ke postuar 2 herë në rrjete sociale, herën e 3-të do të përjashtohesh…Unë po bëj replikë për çfarë ke shkruar ti. Je akoma këtu sepse nuk dua që PS të humbasë investimin që ka bërë”, ka thënë Rama sipas burimeve.
Në fund, kryeministri i ka numëruar qëndrimet e saj, kur Spiropali, dukshëm ka drejtuar kritika ndaj PS-së.
“Herën e parë nuk votove, herën e dytë bëre çarçaf, herën e 3-të del nga Grupi”, është shprehur Rama.
Tensioni i fundit ishte në mbledhjen e grupit parlamentar të PS mes Elisa Spiropalit dhe Erjona Ismailit, ku një ndërhyrje pati edhe nga vetë kryeministri Edi Rama. Përplasjen e fundit e pohoi edhe kreyparlamentari Niko Peleshi, i cili deklaroi se në mbledhje ka pasur diskutime që kanë zgjatur me orë të tëra, duke i konsideruar si të shëndetshme për frymën e brendshme të partisë.
Por, Spiropali nuk e mbylli me kaq. Ajo vijoi me postime që përmbanin tone kritike ndaj qeverisë dhe Partisë Socialiste. Me anë të një postimi të fundit në rrjet, 17 prill, deputetja doli me një reagim pas tensioneve të raportuara së fundmi, duke shpjeguar sipas saj, situatën ku ndodhet Partia Socialiste. Sipas Spiropalit, problemi nuk lidhet me një rast apo individ të vetëm, por me një model funksionimi që, sipas saj, është ndërtuar gradualisht.
Spiropali tregon se e kanë këshilluar që të ‘heshtë’ e mos të flasë më mbi atë që po ndodh, duke theksuar se nuk frikësohet dhe flet për një model ku institucionet nuk janë më hapësira vendimmarrjeje, por instrumente presioni. Spiropali e konsideron këtë situatë si një problem që shkon përtej një përplasjeje personale, duke e lidhur me mënyrën si po funksionojnë institucionet dhe vetë politika. Në fund, ajo shprehet se nuk ka frikë nga sulmet dhe se zgjedh të flasë, duke e parë këtë si një detyrim për të kërkuar ndryshim dhe përmirësim në funksion të vendit./ZËRI



