TIRANË-Kryeministri Edi Rama, do të mbledhë sot ministrat dhe Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Mbledhja do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, në orën 11:00.
Në fokus të mbledhjes do të jetë procesi i integrimit europian, ku do të raportojë Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka. Raportimi i Hoxhës dhe Dhukës do të përqendrohet kryesisht tek Kapitulli 24: Drejtësia, Liria dhe Siguria.
Mbledhja e socialistëve vjen në një kohë, ku qeveria ka dorëzuar në Kuvend një raport të detajuar sa i përket negocimit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në raport, evidentohen progrese në fusha që shërbejnë si pjesë e përmbushjes së standardeve të kërkuara në procesin e negociatave me BE.
Gjithashtu, nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka theksuar se Shqipëria deri në fundin e vitit 2027 do të mbyllë negociatat me BE. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian në vitin 2030./ZËRI



