“Po ata idiotët shqiptarë atje…”! Koalicioni VLEN reagon pas mesazhit të ministrit Hoxha: Të japë dorëheqjen


"Po ata idiotët shqiptarë atje..."! Koalicioni VLEN reagon

Ferit Hoxha

MAQEDONIA E VERIUT- Një mesazh i publikuar së fundmi në rrjete sociale nga deputetë të Partisë Demokratike, ku pretendohet se Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha iu është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në një komunikim në një grup të Ministrisë per Evropën dhe Punët e Jashtme ka hapur debat. 

Edhe pse zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi,në emër të Hoxhës deklaroi se ky mesazh nuk është i vërtetë, një reagim ka ardhur edhe nga koalicioni i partive shqiptare në qeveri në Maqedoninë e Veriut, VLEN. Kjo pasi kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka publikuar foton ku duket mesazhi i fshirë i ministrit Hoxha në grupin në aplikacionin WhatsApp.

VLEN ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha, ku thekson se mesazhi përbën skandal të rëndë diplomatik, dhe se duhet kërkuar falje publike. Sipas koalicionit shqiptar gjuha e përdorur është e papranueshme, fyese dhe larg çdo etike. VLEN nënvizon se, kjo gjuhë dëshmon mungesë të kulturës diplomatike dhe hap dilema serioze se si mund një përfaqësues i shtetit shqiptar të flasë me përçmim për shqiptarët këtej kufirit.

"Po ata idiotët shqiptarë atje..."! Koalicioni VLEN reagon

"Po ata idiotët shqiptarë atje..."! Koalicioni VLEN reagon

REAGIMI:

Mesazhi përçmues i ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “idiotë”, përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik. Një gjuhë e tillë është e papranueshme, fyese dhe larg çdo etike. Ajo dëshmon mungesë të kulturës diplomatike dhe hap dilema serioze se si mund një përfaqësues i shtetit shqiptar të flasë me përçmim për shqiptarët këtej kufirit. VLEN nuk mund ta trajtojë këtë rast si një incident të zakonshëm komunikimi. Reagimet e shumta nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, përfaqësues politikë, gazetarë, publicistë dhe qytetarë dëshmuan se kjo gjuhë u lexua ashtu siç ishte fyese, përçmuese dhe e papranueshme.

Pas kësaj, Hoxha e fshiu postimin, sikur me një klik mund të fshihej edhe ofendimi publik. Por fshirja e postimit nuk mjafton. Për një akt të tillë duhet falje publike. Edhe më shqetësuese është heshtja e Tiranës zyrtare. Asnjë distancim dhe asnjë fjalë për këtë gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Mesazhi bëhet edhe më i rëndë nga fakti se në atë komunikim figuron edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani. Në vend që të dënohej një gjuhë e tillë, me të drejtë është krijuar përshtypja se Tirana zyrtare, përmes ambasadorit të saj, po vendoset në funksion të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo është e papranueshme. Kush përpiqet ta paraqesë këtë si ofendim vetëm ndaj VLEN-it, gabon rëndë. VLEN-in e kanë votuar dhjetëra mijëra shqiptarë. Pas VLEN-it qëndrojnë familje, intelektualë, punëtorë, pleq e të rinj, njerëz të ndershëm që kanë zgjedhur me votë rrugën e tyre politike.

Prandaj, ky nuk është vetëm sulm ndaj një subjekti politik, por përçmim ndaj një pjese të madhe të elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë periferi e kombit. Ata janë pjesë e pandashme e trungut shqiptar. Çdo gjuhë përçmuese ndaj tyre nuk prek vetëm një subjekt politik, por fyen një pjesë të gjallë të kombit shqiptar. Ferit Hoxha duhet së paku të kërkojë falje publike.

Poll



Source link

Scroll to Top