GJIROKASTËR- Përfaqësues nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilluan një seancë konsultimi publik me banorët e qarkut Gjirokastër.
Mes qytetarëve, ishte edhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili iu drejtuar bashkëkryetarit të kësaj reforme, Arbjan Mazniku, duke i thënë se nuk është dakord me dy teza të ngritura prej tij. Sipas Dules, Mazniku përpiqet të shkëpusë diskutimin nga nocioni bazë i hapësirës, duke argumentuar se reforma territoriale nuk duhet të nisë nga kufijtë. Një shqetësim tjetër i ngritur prej tij ishte mungesa e përfaqësimit në këshillin bashkiak të Gjirokastrës për disa ish-komuna në jug të vendit.
Pjesë nga diskutimi:
Vangjel Dule:“Dua të shpreh disa ide, duke nisur me një kundërshtim të fortë ndaj tezës së zotit Mazniku, i cili synon të na largojë nga nocioni themelor i hapësirës. Nuk mund të thuhet se nuk duhet të nisemi nga kufijtë, pasi asgjë nuk mund të analizohet për të ardhmen pa marrë parasysh dimensionin “ku”.Një çështje thelbësore që më shqetëson është demokracia. Edhe nëse kemi një pushtet vendor ideal, administrim të përsosur dhe kufij të mirëpërcaktuar, nëse nuk funksionon përfaqësimi demokratik, kemi dështuar. Më thoni: a përfaqësohen në këshillin bashkiak ish-komunat si Picari, Antigoneja apo Lunxhëria? Kush e çon zërin e tyre aty?”
Arbjan Mazniku u shpreh se ky është vetëm një diskutim fillestar dhe se do të ketë edhe të tjera në vijim, duke theksuar se synimi është të dëgjohen edhe mendimet e qytetarëve. Ai sqaroi se nuk është kundër diskutimit të territorit, por argumentoi se përqendrimi vetëm te kufijtë, pa marrë parasysh kompetencat, nuk çon në zgjidhje konkrete.
Arbjan Mazniku: “Ky është vetëm një diskutim fillestar dhe do të ketë të tjera. Ne kemi menduar të dëgjojmë edhe mendimet e qytetarëve. Nuk kam thënë që territori nuk duhet diskutuar pa kompetencat, por nëse fokusohemi vetëm te territori dhe jo te kompetencat, nuk arrijmë askund. Qëllimi është të kemi mundësi reale për të ofruar shërbime. Për shembull, përveç ndërtimit të rrugëve, duhet të flasim edhe për pastrimin, shërbimet sociale, etj. Pyetja kryesore është: a kemi burimet financiare dhe kapacitetet për t’i ofruar këto shërbime? Prandaj diskutimi duhet të nisë nga shërbimet.”
Vijon diskutimi…
Vangjel Dule: “Këto janë sofizma…”
Arbjan Mazniku: “Ju lutem, më dëgjoni edhe tani. Nuk është e drejtë të ndërprisni. Ne duhet të përqendrohemi te mënyra si t’u shërbejmë qytetarëve, sepse ky është qëllimi kryesor.”
/ZËRI



